Beqja: Reforma e PS në shëndetësi, nga barnat te spitalet dhe mjekët

Dec 13, 2011 | 13:59

Sistemi i ri shëndetësor, i programuar dhe i shpallur nga Partia Socialiste, do të ndryshojë të gjithë skemën aktuale të financimit. Në një intervistë për gazetën, Ilir Beqja, sekretari për programin, sqaron të gjitha risitë dhe pikat e dyshimta të programit. Si do të sigurohen të gjithë qytetarët shqiptarë, në punë ose jo dhe si do të garantohet shërbimi shëndetësor për të gjithë. Shpërndarja në çdo anë të vendit dhe garantimi i ilaçeve edhe në fshatra.
Në program ju thoni: “Ne do të ulim çmimin e barnave në Shqipëri”, kini parasysh ndonjë ndryshim të skemës? Barnat kanë një skemë furnizimi ku fitimi nga grosistët deri te farmacitë janë të përcaktuara. Do e ndryshoni këtë skemë?
Çmimet e mallrave dhe shërbimeve sot në Shqipëri, sidomos të atyre jetike, janë shumë të larta. Ndodh që bëhen krahasime edhe me vende fqinjë apo vende të zhvilluara, por gjithmonë duhet të kemi parasysh peshën që zënë shpenzimet për mallra e shërbime jetike bazë ndaj të ardhurave mujore familjare. Krahasimisht me vende të tjera, edhe të ngjashme, jetesa në Shqipëri është shumë e shtrenjtë. Pra, ne synojmë që përgjithësisht të mos ketë shpërpjesëtime të mëdha në peshën që zënë zëra të ndryshëm të konsumit mujor jetik në buxhetet familjare. Në formimin e çmimeve luajnë rol kostot e prodhimit apo të importit, elemente të politikave dhe administrimit fiskal, rregullimi i tregjeve dhe krijimi i hapësirës për konkurrencë.
Që prej marsit 2011, në çmimin e barnave zbatohet tatimi mbi vlerën e shtuar në shkallën 10%. Në dhjetor 2010, kur zbatimi i këtij tatimi u miratua, qeveria shpjegoi që vendosja e këtij tatimi do të ulte çmimin e barnave për 6 muaj. 6 muajt kaluan, çmimet nuk u ulën. Ne e patëm paralajmëruar që në fillim, që nuk do të kishte ulje çmimi, përkundrazi çmimet do të rriteshin. Ne jemi të vendosur të heqim TVSH-në në barna dhe shërbime mjekësore. Për këtë, kemi propozuar që prej disa javësh edhe nismën ligjore në Kuvend. Debati do të bëhet në seancë plenare në 22 dhjetor 2011. Sali Berisha e ka deklaruar që do ta rrëzojë nismën, edhe pse angazhimi i tij për ulje të çmimeve të barnave rezultoi i gënjeshtërt. Saliu nuk e ka problem se i provohen gënjeshtrat, ndërsa për ne është shumë e rëndësishme ulja e kostove të qytetarëve për shërbimin shëndetësor. Heqjen e TVSH-së në shëndetësi ne do ta bëjmë në ditët e para të qeverisjes sonë.
Ju parashikoni rritjen e cilësisë së barnave. A bie ndesh ulja e çmimit të barnave, që ju propozoni, me cilësinë e tyre? Një ilaç i lirë, përgjithësisht do të thotë ilaç me pak efekte, jo cilësor.
Në Shqipëri, për fatin tonë të keq, edhe pas 20 vjetësh ekonomi të tregut të lirë, çmimet vazhdojnë të diktohen nga faktorë jo ekonomikë, për të cilët është përgjegjëse e drejtpërdrejtë qeverisja. Fola më sipër për aspektin e politikës fiskale, por edhe korrupsioni, burokracia, mungesa e konkurrencës, mungesa e mbikëqyrjes së cilësisë janë elemente të rëndësishme që ndikojnë si në çmimet, ashtu edhe në cilësinë e mallrave e shërbimeve që ofrohen. Tregjet në Shqipëri janë të deformuara dhe, në programin tonë politik, vendosja e tregjeve progresive është një nga synimet kryesore. Për barnat është thelbësore që ato të jenë në përputhje me përcaktimet e principeve aktive. Më tej, cilësinë duhet ta sigurojë farmako–vigjilenca. Efektiviteti i përdorimit të një bari varet nga mënyra se si ai përshkruhet nga mjeku, se si jepet në farmaci, se si ofrohet brenda skemës së rimbursimit etj. Në këto aspekte do të përqendrohemi për të rritur cilësinë e barnave. Ne marrim përsipër të mbikëqyrim të gjithë zinxhirin e shpërndarjes së barnave. Qoftë në qendrat shëndetësore publike, qoftë në sistemin privat.
Ju thoni se “në zonat rurale shërbimi farmaceutik mungon” dhe propozoni “shërbim farmaceutik publik, aty ku nuk ka mbulim me shërbim privat”. Kjo do të thotë se në fshat do të hapen farmaci shtetërore, pra që paguhen nga taksat?
E rëndësishme është që për këdo qytetar të vendit, pavarësisht ku jeton, të ketë prezencë të shërbimit shëndetësor. Shëndeti është një nga të drejtat bazë themelore dhe, për ne socialistët, nuk është mall ku gjithçka ta vendosë raporti të ardhura/shpenzime, kërkesë/ofertë etj. Në vlerësimin tonë, qytetarët që jetojnë në zona më të largëta, paguajë më shumë taksa se ata që jetojnë në qytete. Më shumë se gjysma e taksave që mblidhen në Shqipëri janë taksa konsumi, pra taksa të përfshira në çmimin e çdo malli e shërbimi, dhe është e provuar që sa më larg qendrave të mëdha urbane të jetosh, aq më të shtrenjta janë çmimet me pakicë. Nëse do të paguhen nga taksat farmacitë publike apo do të paguhen nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar që ne do të krijojmë, kjo është një çështje teknike. E rëndësishme është që ne të punojmë për të forcuar kohezionin territorial dhe social të shoqërisë sonë.
Në programin tuaj theksohet edhe një fjali pak e “çuditshme”: “Spitalet publike do të jenë jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore”. Çfarë do të thotë termi “kulturë shoqërore” në një spital?
Fjalia mund të duket e çuditshme edhe pa thonjëza. Sepse, në këta 20 vjet, spitalet publike janë parë vetëm si ambulanca të mëdha ku shkohet për një nevojë individuale. Duke e trajtuar shëndetin si një të drejtë themelore, në spital nuk duhet të ketë shëndetësi me disa shpejtësi. Një shpejtësi për atë që sot konsiderohet i siguruar, një shpejtësi tjetër për atë që është i pasiguruar. Një shpejtësi për atë që ka para, një shpejtësi tjetër për ata që janë të varfër dhe jetojnë me ndihmë ekonomike 4 mijë lekë në muaj. Një shpejtësi për atë që është banor autokton në qytetin ku është spitali, një shpejtësi tjetër për atë që është banor i sapovendosur në qytet.
“Kultura shoqërore” në spital do të thotë se kushdo duhet të marrë shërbimin që ka nevojë, në një Sistem Shëndetësor Kombëtar që bazohet në akses të barabartë, në mbulim universal dhe në solidaritet financimi nga të gjithë sipas të ardhurave që krijohen nga puna, fitimi, kapitali, patundshmëria etj., sipas parimit të formuluar në programin tonë të ri: kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë.
Sistemi i sotëm i financimit të shëndetësisë stimulon korrupsionin, burokracinë e tepruar dhe diskriminimin në masë. Paratë publike, edhe pse të pamjaftueshme, shpërdorohen në mënyrë kriminale, ndërsa qytetarët paguajnë nën dorë për të marrë shërbime thelbësisht jetike. Ky sistem shëndetësor nuk arrin të plotësojë as nevojat e gjysmës së popullsisë së vendit, që është e siguruar. Ndërkohë që të varfrit janë të përjashtuar se nuk sigurohen dot, as ata që paguajnë sigurime nuk i ushtrojnë dot të drejtat e tyre.
Të ndalemi te pika e fundit, por kryesorja në programin tuaj të shëndetësisë. Ju thoni që “1 milion shqiptarë në moshë pune nuk gëzojnë kujdes shëndetësor publik, sepse janë të papunë. Të gjithë atyre që varfëria apo papunësia i ka lënë pa sigurim shëndetësor, ne do t’u ofrojmë shërbim shëndetësor falas dhe ata do të sigurohen nga shteti”. Kjo do të thotë që ata që janë në punë do të paguajnë më shumë për shërbimin shëndetësor? Sigurimi “nga shteti” do të thotë nga taksat. Do rritet përqindja që paguajmë sot për sigurimet shëndetësore, apo paratë që vijnë nga taksat e tjera do të kalojnë në sistemin e shëndetësisë.
E drejtë. Edhe pse barnat janë një nga elementet e rëndësishme të shërbimit shëndetësor, ky i fundit është shumë më i gjerë. Përfshin parandalimin, diagnostikimin, mjekimin dhe rehabilitimin. Asnjë nga këto 4 funksione themelore të shëndetësisë sonë nuk realizohet si duhet. Sistemi nuk i është i drejtë, sepse nuk u jep mundësi të gjithëve të kenë akses të barabartë, nuk është as solidar. Nuk është prezent njësoj në të gjithë vendin. Unë u ndala pak në mënyrën se si formohen të ardhurat nga taksat në Shqipëri. Për ne, nuk është e pranueshme t’i thuash dikujt që nuk je pjesë e kujdesit shëndetësor publik, kur vetë ky sistem, vetëm 1/5-ën e të ardhurave të tij e formon nga kontributet e detyrueshme. Të tjerat i vijnë edhe sot nga taksat e përgjithshme. Sigurisht, që një pjesë e parave nga taksat e përgjithshme duhen për kujdesin shëndetësor të fëmijëve, të personave me aftësi të kufizuara dhe të moshuarve. Edhe mënyra e sotme ekzistuese e kontributeve shëndetësore të detyrueshme për aktivët është regresive. Një i punësuar paguan sot 1,7% të pagës mujore si kontribute të detyrueshme shëndetësore. Por jo më shumë se 1,480 lekë në muaj. Për pasojë, praktikisht, një deputet paguan 0,9% të pagës mujore, një ministër paguan 0,8 % të pagës, ndërsa kryeministri paguan 0,6 % të pagës. Edhe ligji i ri i sigurimeve shëndetësore, që mazhoranca aktuale ka miratuar, dhe që do të hyjë në fuqi në mënyrë të plotë në vjeshtë 2013, konservon po këtë parim përfshirjeje në skemën e kujdesit shëndetësor. I vetmi ndryshim  është rritja e ndjeshme e kontributeve për të vetëpunësuarit. Pra, sipas ligjit të ri ( nr. 10383, dt. 24.02.2011), për rreth 80 mijë të vetëpunësuar, nëse sot paguhen 1,220 lekë në muaj, do të paguhen 1,775. Kjo është një rritje 45%. Kështu, një i vetëpunësuar që rropatet gjithë ditën duke punuar gjatë gjithë vitit, do të paguajë më shumë se një deputet, një ministër apo kryeministri. Këtë sistem të pabarabartë ne nuk e pranojmë, e refuzojmë dhe jemi të vendosur ta ndryshojmë. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar që ne do të ngremë, do të bazohet në kujdesin universal (universal care). Pas 17 vjetësh jemi të bindur se sistemi i sigurimeve shëndetësore nuk e arriti qëllimin për të cilin u krijua. Ai sistem nisej nga supozimi i një punësimi në shkallë të lartë dhe në të ardhura që krijoheshin nga puna e rregullt, me 40 orë në javë në fabrika të mëdha, nga e hëna në të premte. Nuk është kështu Shqipëria e sotme dhe nuk do të jetë kështu përgjatë kësaj dekade. Sigurisht që kujdesi universal financohet nga taksimi i përgjithshëm. Eksperienca të suksesshme në botë të mësojnë edhe se si mund të realizohet konkretisht financimi i kujdesit universal.
Pyetja tjetër vijuese, ju thoni që kemi 1 milion të papunë, dhe parashikoni në programin tuaj që do të punësoni 300 mijë. Nuk ju duket pak jo realiste që shteti do të sigurojë, pra do të paguajë sigurime shëndetësore, për 700 mijë shqiptarë? A e rrezikon kjo buxhetin?
Po e filloj përgjigjen me një pyetje. A është realiste të neglizhosh kujdesin shëndetësor për 1 milion shqiptarë në moshë pune? Po themi 1 milion shqiptarë, janë sot pa kujdes shëndetësor, edhe pse ka dyshime se kjo shifër mund të jetë më e madhe. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2012, askush nuk pati guximin të tregojë se sa janë personat që kontribuojnë në vitin 2011 me sigurimet e tyre të detyrueshme apo sa parashikohet të jenë personat që do të kontribuojnë në vitin 2012. Po vijoj me pyetje. Për çfarë u duhet buxheti i shtetit shqiptarëve, nëse nuk ofron asnjë grimë mbështetje për shëndetin e tyre? Një shoqëri që nuk kujdeset fare për shëndetin e anëtarëve të saj, është shumë larg vizionit të socialistëve shqiptarë për shoqërinë që shqiptarët meritojnë dhe të cilën ne duam të projektojmë. Prandaj, ne jemi të vendosur të ripërtërijmë shoqërinë shqiptare. Bashkë me shqiptarët do të vendosim se deri në çfarë shkalle shoqëria do të shtrijë mbulimin me kujdes universal.
Në programin tuaj për shëndetësisë nuk flitet për partneritetin me privatët. Çfarë mendimi ka PS për spitalet, klinikat private, si do nxiten investimet në këtë sektor?
Sektorin privat në shëndetësi ne e pranojmë dhe e mbështesim. E vlerësojmë jo konkurrues, por komplementar. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar do të jetë blerësi i vetëm i kujdesit shëndetësor dhe, pa dyshim, ky sistem do të blejë për llogari të qytetarëve shërbimin shëndetësor më të leverdishëm. Eksperienca dhjetëravjeçare botërore na mëson se sektori privat shëndetësor është cilësor aty ku edhe sistemi publik është i tillë. Performanca e sektorit shëndetësor publik shërben si “benchmark” për sektorin privat. Mjekësia private sot në Shqipëri me shumë pak mund e tregon avantazhin ndaj asaj publike.
Sa është fatura financiare e një projekti të tillë, duke pasur parasysh edhe heqjen e TVSH-së për shëndetësinë?
Heqja e TVSH-së për shëndetësinë parashikohet të kushtojë rreth 1,3 miliardë lekë në vit. Ndërsa fatura financiare e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar është duke u llogaritur. Për llogaritjen e saj është e domosdoshme të kemi një vlerësim paraprak të shëndetit të shqiptarëve, sipas grupmoshave, gjinive, krahinave të ndryshme. Në bazë të gjendjes së shëndetit të shqiptarëve, do të përcaktojmë nevojat e domosdoshme për kujdes universal. Vazhdojmë të punojmë në një mjedis ku informacioni i plotë, i saktë, koherent, është përherë e më tepër specie në zhdukje. Qeveria gënjen, vonon e mashtron për çdo gjë. Një pjesë e mirë e burimeve financiare për të financuar Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, do të çlirohet duke shkallmuar korrupsionin dhe duke miradministruar paratë dhe pasurinë publike.
Një pyetje e fundit. Cili është roli i mjekëve në reformën që ju parashikoni?
Ne jemi vendosmërisht në krah të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin ata kujdesen për shëndetin e bashkëqytetarëve të tyre. Prandaj, do të vendosim një bashkëbisedim të përhershëm me ta, për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e tyre, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit.
Mjekët dhe profesionistët e shëndetësisë do të shkëputen nga varësia dhe presioni i politikës. Në vitin e fundit, mazhoranca aktuale e ka shtuar prezencën në kontrollin e shëndetësisë. Mjafton të ilustrojmë me ndryshimin e ligjit “Për arsimin e lartë” vetëm për të futur duart në zgjedhjen e shefave të shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare apo me ndryshimin e ligjit të sigurimeve shoqërore (nr. 10447 dt. 14.07.2011), sipas të cilit përbërja e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (apo Kemp-i epror, siç njihet ndryshe) propozohet nga ministri i Financave.
Profesorët e shquar me eksperiencë të gjatë në shërbimin shëndetësor shqiptar do të jenë partnerët tanë për reformimin e sistemit formues të mjekëve të rinj dhe për transformimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një universitet mjekësor të Shqipërisë, ku të garantohet transferimi i dijeve e përvojave të tyre të çmuara.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura