Beqaj rinovon: Ia kisha borxh Ermisit

May 19, 2011 | 11:24

Arian Beqaj ka rinovuar kontratën e tij me Ermis Aradipou, në kampionatin qipriot të futbollit. Lajmi është bërë publik nga mediat e këtij vendi, të cilat u referoheshin një deklarate të vetë portierit të Kombëtares shqiptare. “Kam rinovuar për një vit me Ermis Aradipou. T’ju them të vërtetën, pata oferta mjaft të mira nga klube izraelite, por i kisha borxh kësaj skuadre për atë çka bëri për mua kur mbeta pa ekip sezonin e fundit. Kam nënshkruar për një vit dhe shpresoj që të ndihmoj këtë skuadër që të ngjitet në renditje”, citohet Beqaj në mediat qipriote. Portieri i Kombëtares shqiptare iu bashkëngjit kësaj skuadre në fillim të këtij viti pas një kalvari të gjatë dëmtimesh. Por kalvari vazhdoi edhe te Ermis Aradipou, pasi Beqaj nuk arriti të luajë qoftë edhe një ndeshje të vetme, për shkak të problemeve që pati në federimin me këtë skuadër. Duke qenë se për vitin 2010-të, lojtari kishte firmosur tre kontrata: me Anorthosis, Olimpiakos Nikosia dhe Ermis Aradipou, ai nuk u lejua nga Federata qipriote që të zbriste për asnjë moment në fushën e lojës. Beqaj e ka nisur karrierën e tij në Prizren dhe më 1994-1997, ka luajtur për Partizanin në kampionatin shqiptar. Më pas, kaloi te OFI i Kretës, ku luajti deri më 2003-shin. Nga 2003-2006 mbrojti portën e Jonikos dhe në 2006-2010 ishte pjesë e Anorthosis Famagusta, në Qipro.

© Panorama.al

Te lidhura