“Bella S’ka-Ndal”, apo Republika e Rrëshqitjes së Madhe

Feb 6, 2026 | 9:00

RAFAEL FLOQIRAFAEL FLOQI

(Fejton satirik për një shtet që ndërton rrugë si të ishin dekor skene)

Në Shqipëri rrugët nuk shemben. Ato demaskohen. Demaskohen si gënjeshtra të shtruara me asfalt, si fjalime të betonizuara dobët, si projekte që kanë më shumë fotografë sesa inxhinierë dhe më shumë inaugurime sesa kolaudime.

Në një vend normal, një rrëshqitje dherash është incident. Në Shqipëri është zhanër. Me titull, me datë, me buxhet dhe me një njoftim zyrtar që fillon gjithmonë njësoj: “Si pasojë e reshjeve…”. Sikur shiu të ishte armik i shtetit dhe jo fenomen i njohur prej mijëra vitesh.

RRUGA SI INSTALACION ARTISTIK I PËRKOHSHËM

Aksi Librazhd–Prrenjas u bllokua. Jo për herë të parë dhe as për herë të fundit. Gurë, dhe, baltë – elementë natyrorë që qeveria i trajton si surprizë kozmike. Qindra makina u ndalën. Njerëz u vonuan. Ekonomia humbi orë. Por mos u shqetësoni: u hap një krah i qarkullimit. Gjithmonë hapet një krah, sepse simbolikisht shteti funksionon “gjysmë”. Kthesa e Dragostunjës është kthyer në pedagog të heshtur të infrastrukturës shqiptare. Çdo vit jep të njëjtin mësim, por qeveria vazhdon të mos hyjë në provim.

RRUGA QË S’IA DOLI DOT DERI TE SHIRITI I KUQ

Korçë–Ersekë është shembulli më i bukur i një rruge që nuk e përballoi dot presionin psikologjik të inaugurimit. U shemb përpara se të hapej, sikur të thoshte: “Mos më detyroni të gënjej bashkë me ju”. 60 milionë euro për një rrugë dytësore. Një çmim që në Europë do të prodhonte autostrada, ura, tunele dhe ndoshta edhe dinjitet teknik. Në Shqipëri, prodhoi një gropë. Ministrja tha se ishte “99% gati”. Po, edhe një krater është 99% rrethor.

RRUGA E ARBRIT – EPOPE KOMBËTARE ME GURË NË ROL KRYESOR

Rruga e Arbrit nuk është thjesht rrugë. Është mitologji. Është premtuar nga breza politikanësh, është hapur, mbyllur, rihapur, ribllokuar dhe gjithmonë është quajtur “strategjike”. Në Shkallën e Tujanit, mali zbriti në rrugë. Jo për protestë, por për inspektim. Gurët ranë, qarkullimi u ndal, fadromat u thirrën dhe gjithçka u trajtua si rutinë. Sepse në këtë vend, rruga që bllokohet është pjesë e normalitetit. Pyetja nuk është pse bien gurët. Pyetja është: pse vazhdojmë të ndërtojmë sikur nuk do të bien?

260 MILIONË EURO DHE NJË SHI QË GUXOI

Qukës–Qafë Plloçë është rruga që u thye nga shiu. Jo nga ndonjë përmbytje biblike, por nga reshje vjeshte. 260 milionë euro u përkulën përpara reve. Autoriteti Rrugor doli me njoftim: “Reshjet e dendura…”. Një formulë magjike që në Shqipëri shërben si falje, si amnisti, si larje duarsh kolektive. Në çdo vend tjetër, kjo do të ishte skandal. Këtu është komunikatë standarde.

BANKINA QË U LODH, TROTUARI QË DHA DORËHEQJEN

Në Pogradec–Qafë Plloçë, bankina dhe trotuari u shembën si punonjës të sektorit publik pa kontratë. Rruga ishte rikonstruktuar në 2018. Pra, kishte arritur moshën e pjekurisë për t’u prishur. Ndriçimi mungonte prej muajsh. Por ç’rëndësi ka ndriçimi kur errësira është filozofi qeverisëse?

RRUGË PANORAMIKE PËR TURISTË, ÇARJE PANORAMIKE PËR VENDAS

Shëngjin–Velipojë u hap si rrugë panoramike. U ça si plagë panoramike. 15 kilometra, 3.8 milionë euro dhe një shembje që erdhi si bonus falas. Barrierat u vendosën. Sinjalistika u shtua. Riparimi u premtua. Dhe kështu u plotësua rituali i shenjtë i infrastrukturës shqiptare: dëm – njoftim – justifikim – heshtje.

TUNELE QË QAJNË, SHTET QË BUZËQESH

Tuneli i Murrizit u hap pa kolaudim. Sepse kolaudimi është detaj teknik, ndërsa inaugurimi është ngjarje politike. Çarjet u shfaqën shpejt. Autoritetet thanë: “Nuk ka rrezik”. Tuneli i Llogarasë nisi të rrjedhë. Uji pikonte nga tavani si lot ironikë. Ekspertët shpjeguan se është normale. Ndoshta. Por për një tunel 190 milionë euro, “normale” është një fjalë fyese.

FLORIRI QË SHKËLQEN VETËM NË KAMERA

Në Europë, një kilometër rrugë kushton 2– 6 milionë euro. Në Shqipëri kushton sa të dojë propaganda. Diferenca nuk shkon në cilësi, por në fasadë. Në fjalë të mëdha. Në inaugurime të vogla. Këto nuk janë rrugë. Janë dekor skene për pushtet të përkohshëm. Janë projekte që jetojnë për aq sa zgjat duartrokitja. Dhe ndërsa rrugët shemben, shteti që i ndërton sillet sikur po ndodh diçka e paparashikueshme. Sikur balta të ishte opozitë. Sikur shiu të ishte sabotator. Por e vërteta është më e thjeshtë dhe më e hidhur rrugët po bëjnë atë që shteti refuzon të bëjë – po bien, që të tregojnë të vërtetën e dyshes BellaRama. Sepse në një vend ku çdo shembje quhet “fenomen natyror”, problemi nuk është gjeologjia. Është moraliteti i ndërtuar dobët. Dhe ky, ndryshe nga rrugët, nuk shembet rastësisht. Ai është projektuar kështu që në projekt, apo jo Bella?

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura