
“Debatet politike për interpretimin e Kushtetutës, jo serioze”
Zgjedhja e Presidentit sipas ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, është një debat i parakohshëm dhe me karakter të mirëfilltë politik. Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, ish-nënkryetari i Kuvendit thekson se zgjedhja e kreut të ri të shtetit dhe debati për këtë duhet të behet pasi të përfundojë mandati i Presidentit Topi. Deputeti i Partisë Demokratike pohon ndërkaq se procedurat janë të qarta dhe të sanksionuara në Kushtetutë. Sipas tij, Kushtetuta e vendit është e qartë dhe debatet për interpretimin e saj në këtë periudhë nuk janë serioze. “Kushtetuta është në fuqi, ndaj them që debati ka karakter të mirëfilltë politik dhe është i parakohshëm. Kushtetuta është në fuqi dhe nuk ka vend të diskutohet pse dhe si u ndryshua”, deklaroi Beja. Ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve kërkoi që debatet për interpretimin e Kushtetutës të bëhen në kohën e duhur dhe jo për interesa të caktuara të politikës së ditës. “Unë gjykoj që i gjithë diskutimi i deritanishëm ka një karakter të mirëfilltë politik dhe prandaj gjykoj që duhet të respektohet institucioni i Presidentit deri në përfundim të mandatit të tij dhe nuk duhet të behet pjesë e politikës së ditës dhe interesave të veçanta partiake që në fillim të vitit”, u shpreh ai.
Qëndrimi i PD
Ndërkaq, për ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zgjedhja e kreut të shtetit do të realizohet në raundin e katërt të votimit, në rast se nuk arrihet konsensusi në 3 raundet e tjera. Për demokratin Alibeaj, zgjedhja e Presidentit do të vijë nga radhët e PD-së dhe sipas tij në votimin e katërt, nëse opozita nuk do të japë “kartonin jeshil” për kandidatin e propozuar. “Do të kryhet raundi i parë, do të kryhet raundi i dytë, nëse përsëri do të bojkotojnë, do të kryhet edhe i treti, në raundin e katërt Shqipëria do të ketë Presidentin”, pohoi Alibeaj. Deputeti i PD-së, gjatë një prononcimi për “News 24” ka lëshuar akuza ndaj Presidentit Bamir Topi, duke e cilësuar emërimin e tij si një “gabim” që duhet ndrequr. “Të mos jetë një figurë presidenciale që vetëm hesht. Duhet të jetë një figurë, e cila të korrigjojë të gjitha ato defekte që figura presidenciale aktuale ka lënë. Të dijë të instalojë frymën e zbatimit të ligjit në sistemin e Drejtësisë. Të jetë figurë politike, e cila në rastet kur të ketë ngricë politike parlamentare të dijë të ndërhyjë dhe të gjejë konsensusin”, theksoi Alibeaj.
Neni 87
(Ndryshuar me ligjin nr. 9404, datë 21.4.2008, neni 5)1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Berisha
Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryetari i ri i shtetit do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit. Garantoj se do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Çdo përpjekje për të imponuar dëshira suplementare në raport me Kushtetutën do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerët. Të bëjmë përpjekje për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh Berisha.
Manjani: Konsensusi shprehet në nenin 87
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, tha dje se fryma e konsensusit është e shprehur në nenin 87 të Kushtetutës. Sipas tij, në rastet kur ky konsensus refuzohet dhe nuk arrihet, atëherë Kushtetuta përcakton zgjedhjen e Presidentit me 71 vota. “Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit është edhe në frymë, edhe në rreshtat e nenit 87 të Kushtetutës. Çështja është se çfarë ndodh kur nuk arrihet konsensusi mes palëve. Këtë gjë nuk e di asnjë deputet i PS-së, pasi askush nuk i pyet ata nëse do të ketë dhe si do të arrihet konsensusi mes palëve. Grupin e deputetëve të PS-së e ka marrë peng kryetari i PS-së, i cili mund të marrë peng edhe vendin, duke refuzuar çdo konsensus që shprehet në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit. Pikërisht për të shmangur krizat që kërkon të prodhojë artificialisht zoti Rama, Kushtetuta sanksionon si zgjidhje të fundit zgjedhjen me 71 vota të Presidentit të vendit. Por vetëm kur refuzohet konsensusi”, u shpreh Manjani.
Selia rozë, ende asnjë zë zyrtar për interpretim të nenit 87
PS hesht për kërkesën në Kushtetuese

Partia Socialiste hesht ndaj mundësisë së ankimimit në Gjykatën Kushtetuese të nenit 87 të Kushtetutës, që përcakton mënyrën se si zgjidhet Presidenti i Republikës. Mungojnë këto ditë zërat zyrtarë të ekspertëve ligjorë në këtë parti, të cilët mund të pohojnë ose të mohojnë përgatitjen e një kërkese për ankimim në Gjykatën Kushtetuese të nenit përkatës, edhe pse jo zyrtarisht, përfaqësues të kësaj partie e shohin këtë betejë me maxhorancën si të fundit për të arritur në një President konsensual. Pak ditë më parë, të njëjtat burime pohuan se një kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese rreth domosdoshmërisë së 84 deputetëve në seancën parlamentare të zgjedhjes së Presidentit me shumicë të cilësuar, do ta detyronte maxhorancën të ulej dhe të bashkëbisedonte me opozitën për të arritur në një figurë të gjithëpranuar. Një kërkesë e tillë duket se është pjesë e një strategjie që PS do të ndërmarrë javët në vazhdim për ta detyruar maxhorancën në arritjen e një konsensusi, ndërsa neni 87 i Kushtetutës konsiderohet si nga politikanët, ashtu dhe nga juristët, si një nen i diskutueshëm që kërkon interpretim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese. Por, përfaqësues të PS ngurrojnë të shprehen se si e lexojnë ata nenin 87, nëse në tri raundet e para të zgjedhjes së Presidentit është e detyrueshme që në sallë të jenë të paktën 84 deputetë, raunde kur për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohen tre të pestat e votave.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











