
Është nënshkruar dje marrëveshja që i mundëson Shqipërisë një kredi prej 35 milionë eurosh, dhënë nga Banka Europiane e Investimeve për ndërtimin e bypas-it të Fierit. Për qeverinë shqiptare nënshkroi ministri i Financave, Ridvan Bode, ndërsa për Bankën Europiane zëvendëspresidenti i kësaj banke, Dario Scannapieco. Ministri Bode u shpreh dje lidhur me rëndësinë që ka ndërtimi i bypass-it të Fierit si një hallkë shumë e nevojshme për korridorin veri-jug. Kredia e dhënë nga BEI u vlerësua si një kredi me kushte mjaft favorizuese, pasi 35 milionë eurot janë marrë me një afat maturimi prej 20 vitesh, ku për 7 vitet e para nuk do të paguhet principal. Projekti i bypass-it të Fierit, i cilësuar si një prioritet nga qeveria shqiptare, parashikon ndërtimin e një bypass-i rrugor të tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit me gjatësi afërsisht 22 km.
Berisha
Përfaqësuesit e BEI-t i ka takuar dje edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili e falënderoi Bankën për mbështetjen e një sërë projekteve të rëndësishme në vendin tonë në sektorin energjetik. Nga ana tjetër ai e ftoi këtë bankë për të financuar edhe më tej sektorin privat për plane biznesi të suksesshme. Një ndër pikat ku kreu i Ekzekutivit tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve të Bankës Europiane të Investimeve ishte ajo e përfshirjes në një projekt të rëndësishëm që aktualisht është në diskutim, gazsjellësi “TAP”. “Forcimi i rrjetit të transmetimit është një tjetër fushë e rëndësishme për t’u konsideruar nga BEI, sidomos linja e transmetimit Itali-Shqipëri, ku qeveria shqiptare është përgatitur të hyjë në formën e partneritetit publik privat”, tha Kryeministri lidhur me projektin e gazsjellësit.
Kush do ta financojë bypass-in
Bypass-i i Fierit është parashikuar që t’i kushtojë qeverisë shqiptare gati 81.2 milionë euro. Sipas Ministrisë së Financave, ai realizohet si bashkëfinancim i BEI-t dhe BERZH-it me nga një kredi prej 35 milionë euro secila, Kooperacionit Italian, me një grant prej 1.8 milionë eurosh, dhe qeverisë shqiptare, me një kontribut prej 9.4 milionë eurosh.











