Bëhet italiane çështje “Tevez”, Inter, Milan dhe Juve në Argjentinë

Nov 14, 2011 | 14:31

Historia e çrregullt dhe e pakëndshme për Mancester Sitin mund të shndërrohet në një marrëveshje për “mega italianët”. Karlos Tevez, prej një jave nuk po stërvitet me skuadrën e tij angleze, pasi gjendet në Argjentinë, pa lejen e klubit të tij dhe, sipas tabloidit anglez “Daily Mail”, nuk ka ndërmend t’i vërë më këmbë në Mançester. Për “Apache”, nga ana tjetër, ka nisur një interesim i madh nga “big”-ët italianë, si Inter, Milani dhe Juventusi, të cilët mund të përfitojnë nga situata për ta marrë sulmuesin argjentinas me “koston e bilancit”. Tevez do të duhet të kthehet në Mançester të mërkurën në mëngjes. Sipas “Daily Mail, krerët e Sitit i kanë lënë një ultimatum lojtarit në fjalë, i cili skadon ditën e hënë, më 14 nëntor, ose saktësisht një javë pas arratisjes së tij. Mirëpo, argjentinasi nuk do që të kthehet më në klubin anglez, ndaj, sipas të gjitha gjasave, Roberto Mancini do të bëjë gjithcka për ta hequr qafe në merkaton e janarit. Krisja mes “Apache” dhe Mancester Sitit filloi në verë dhe kulmoi me refuzimin e lojtarit për të hyrë në fushë gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Bajernin e Mynihut. Klubi i sheikut Mansur, të cilit në gusht, për shërbimet e argjentinasit, i janë ofruar jo më pak se 35 milionë euro, tani mund të vendosë ta lërë të lirë për më pak se gjysmën e kësaj shume, sepse situata e krijuar me Tevezin, në një këndvështrim afatgjatë, mund të ndikojë në një sezon fantastik deri tani të skuadrës së drejtuar nga italiani Roberto Mancini. Sulmuesi është konsideruar shumë i dëshirueshëm nga Interi, pasi ai do të mbushte boshllëkun e lënë nga Samuel Eto. Argjentinasi thuhet se ka qenë disa herë në muajt e fundit në Milano, atje ku mund ta rigjejë veten më mirë se askund tjetër, te bashkatdhetarët e shumtë në radhët e Interit të Moratit. Por, vëmendje karshi tij ka treguar edhe Milani, gjithmonë në kërkim të një sulmuesi, aq më tepër tani që do të vuajë mungesën e Kasanos, me probleme shëndetësore dhe që s’do të luajë për të paktën 6 muaj. Karakteristikat e Tevezit e bëjnë atë një partner të madh për Ibrahimoviçin, gjë të cilën e kupton më mirë se askush tjetër Adriano Galiani, që po e ndjek me përparësi këtë mundësi. Nuk mund të përjashtohet nga kjo “sagë” as Juventusi, i cili në janar do të largojë Amaurin dhe Tonin, duke parë mundësinë e zëvendësimit të tyre me një sulmues të spikatur. Gjithashtu, pritet të largohet nga bardhezinjtë edhe Jakuinta, i cili vështirë se do të gjejë hapësirë ​​në 11-shen e Antonio Kontes. Kjo është arsyeja pse bardhezinjtë, duke larguar këtë treshe sulmuesish, janë të gatshëm të hyjnë në “luftë” me dy skuadrat e Milanos për të marrë “Apache”, Klarlos Tevez.

 

© Panorama.al

Te lidhura