
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara konfirmuan sot mbështetjen që do t’i japin në vazhdim qeverisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor në pjesën veriore te vendit.
Zyra për informim e qeverisë së Kosovës ka dhënë detaje për takimin e zhvilluar mes ndërmjetësit të BE-së për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, ndihmësit kryesor të nënsekretarit të SHBA-ve, Filip Riker, dhe shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahiri.
“Në këtë takim u konstatua se ky raund i dialogut u anulua me fajin e palës serbe, e cila u tërhoq nga dialogu pas dështimit për të imponuar bisedat për çështjen e pikave doganore, duke shkelur më këtë rast obligimet e marra nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për dialogun dhe parimet evropiane”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Mësohet se zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka shtruar për diskutim çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa ka dorëzuar raportin zyrtar të qeverisë së Kosovës për situatën e implementimit.
“Delegacioni i Kosovës potencoi në mënyrë të veçantë se çështja e implementimit të marrëveshjeve duhet të shoqërohet me një sistem masash detyruese për palët në dialog, ku do të precizohen afatet kohore si dhe masat e stimulimeve dhe ndëshkimeve për palët në rrugën e përparimit drejt BE-së. Një qasje e tillë do ta fuqizoj dialogun si dhe do ti bëjë të pamundura pengesat dhe obstrukcionet e palës Serbe ndaj dialogut”, thuhet po ashtu në komunikatë.(rel)
© Panorama.al











