BE, Sekui: Përfshini shoqërinë civile. Sanino, së shpejti në Tiranë

Jan 27, 2012 | 11:55

TIRANË- Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, duke pranuar se rishikimi i planit të veprimit për plotësimin e kritereve për integrimin e vendit në BE nuk është një cështje burokratike, por substanciale, ka deklaruar se shumë shpejt në Tiranë do të rikthehet Drejtori i Pergjithshem i Zgjerimit ne Komisionin Evropian Stefano Sanino.

“Prania ime vërteton dy gjëra të rëndësishme, së pari kjo tregon kujdesin tonë në rëndësinë që i japim konsultimit me shoqërinë civile. Së dyti rëndësinë që i japim këtij procesi që quhet plani i veprimit, që të sigurohemi që të ndërmerren hapa konkrete”- tha ai.

Ai vlerësoi rolin kyc të shoqërisë civile për promovimin e shumë vlerave të rëndësishme. “Ne e dimë që për valët e zgjerimit shoqëria civile ka luajtur rol tepër të rëndësishëm në këtë proces. Ajo mund të luajë rol kyc në rindërtimin e një elementi të rëndësishëm, ndërtimi i besimit mes forcave të ndryshme; Transformimi i shoqërisë në atë që të ketë një funksionim të mirë të ligjit, transformim drejt një ekonomie që funksionon më mirë, drejt një shoqërie më demokratike”- theksoi ai.

Sipas Sekuit, procesi i planit të veprimit nuk është thjesht burokratik, por substancial, në të cilin të gjithë pritet të kontribuojnë dhe me shpresën që kjo do bëhet shpejt. “Në mënyrë që të tregojmë angazhimin tonë, kolegu im Stefano Sanino po planifikon të kthehet sërish në Shqipëri”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura