BE: Protesta e Vetëvendosjes, kundër parimeve demokratike

Jan 17, 2012 | 11:14

Nga protesta e Vetëvendosjes

Thaçi: Kishte dhunë në protestën e së shtunës, e shkaktuan protestuesit

Zyrtarët në Kosovë dhe në Bashkimin Europian kanë reaguar kundër aksionit të Vetëvendosjes, duke e cilësuar atë si kundër parimeve demokratike dhe atyre themelore të Bashkimit Europian. Në një komunikatë për mediat, Bashkimi Europian, i cili kishte bërë thirrje për braktisjen e kësaj protestë që të premten e kaluar, tha se dhuna e ushtruar të shtunën në pikat doganore, gjatë aksionit të Vetëvendosjes për bllokimin e kufijve, ishte për të ardhur keq. “Është për keqardhje dhuna që ka ndodhur, por besojmë se, përgjithësisht, situata është menaxhuar mirë nga Policia e Kosovës. Protestat të tilla i shohim si tërësisht të paarsyeshme, sepse ishin kundër asaj që është parim thelbësor i BE-së, pra lirisë së lëvizjes së mallrave. Ne kemi punuar ngushtë me autoritetet e Kosovës për ta zbatuar këtë parim dhe është për keqardhje që njerëzit protestojnë kundër tij”, tha dje Majkëll Man, zëdhënës i kryediplomates së BE-së, Ketrin Ashton. Ndërsa eurodeputetja Ulrike Lunaçek kërkoi hetim për dhunën. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Lunaçek, tha se: “Do të ishte shumë e rëndësishme sikur të ndodhte një hetim i pavarur në lidhje me atë se si filloi dhuna dhe çfarë force është përdorur nga Policia e Kosovës”, tha ajo. “Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tha se është përdorur vetëm gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën. Por shumë njerëz janë lënduar dhe mua më vjen jashtëzakonisht keq për këtë”, shtoi Lunaçek, duke u drejtuar sërish një thirrje drejtuesve të Vetëvendosjes që të anulojnë protestën e 22 janarit. Ndërkohë, Kryeministri Hashim Thaçi tha se në protestën e së shtunës kishte dhunë, por ajo u ushtrua nga Lëvizja Vetëvendosje. “Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Por, unë me vendosmëri e ritheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdorë të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjitime të shtetit tonë”, tha Thaçi.

Dhuna
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Bajram Rexhepi, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës, si mekanizëm i pavarur nga Policia e Kosovës, që të monitorojë situatën dhe sjelljen e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të angazhuar në protestat e së shtunës. Në rast se gjatë këtyre vlerësimeve vërehet ndonjë tejkalim i autorizimeve policore, atëherë merren masa konform ligjit mbi Policinë dhe parimeve dhe procedurave të brendshme të Policisë së Kosovës.

 

Bogdanoviç, “i shqetësuar”
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, e ka cilësuar aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje në Merdarë si “ushtrim i dhunës që mund të përsëritet”. Bogdanoviç tha për mediat serbe se “nuk është e rastit që një gjë e tillë të ndodhë pikërisht tani kur bisedimet në Bruksel kanë dhënë rezultate”. Ai tha se nuk e kupton “çfarë reciprociteti kërkon ‘Vetëvendosje’ në eksport dhe import, kur Kosova nuk prodhon gati asgjë”.

© Panorama.al

Te lidhura