BE: Këshillim nga jashtë për KQZ

May 25, 2011 | 10:52

Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Katerin Ashton dhe komisioneri i Zgjerimit, Shtefan Fyle, reaguan dje në një deklaratë zyrtare, duke thënë se vendimet e KQZ-së mund të këshillohen nga ekspertë të huaj të pavarur. Sipas tyre, PD dhe PS duhet të gjejnë një konsensus në lidhje me “votat në kutitë e gabuara”. Sipas numrit dy të Komisionit Europian, Ashton dhe komisionerit Fyle, ky këshillim i pavarur do të jetë në interes të vendit dhe situatës të krijuar për rezultatin në Bashkinë e Tiranës.”Një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë, i pavarur, për vendimet e debatuara të KQZ-së. Interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit europian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave europiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”, shprehen zyrtarët e lartë të Komisionit Europian Ashton dhe Fyle.
Në këtë deklaratë zyrtare, dy zyrtarët e lartë të BE-së shprehen se procesi nuk ka përfunduar ende dhe presin procedurat e apelimit. “Ne kemi mbajtur shënim ditën e djeshme bërjen publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, ne kemi mbajtur shënim që çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht’, është një çështje që përbën shqetësim. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR-it”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se ky proces duhet të jetë i ndershëm dhe transparent. Sipas Ashton dhe Fyles, mund të ketë zgjidhje konsensuale mbi çështjet ligjore që kërkojnë interpretim. Sipas tyre, partitë duhet të bien dakord për të trajtuar çështjen e votave të hedhura në kutitë e gabuara. “Bashkimi Europian pret që procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente, të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje, të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim. Për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun, në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave ‘të hedhura gabimisht'”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Butler: Procesi s’ka mbaruar

Komisioni Europian pret një proces të ndershëm të shpalljes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Zëdhënësja e komisionerit Fyle, Natasha Butler, tha dje se ky proces duhet të jetë i ndershëm. “Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare, me gjithë vlerësimin e misionit të vëzhguesve të OSBE-së. Pikë së pari, në lidhje me pyetjen se a do ta njohë Komisioni Europian rezultatin e këtyre zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Sigurisht që në fillim ne mbajtëm shënim publikimin dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Por, ne vërejtëm gjithashtu çështjen e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së për të numëruar të ashtuquajturat vota të hedhura gabimisht. Është një çështje shqetësuese. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende”, tha Natasha Butler.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura