Në një kohë që Bashkimi Europian ka miratuar një rezolutë dhe i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të shfuqizojë ligjin për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, sot gjatë mbledhjes së Grupit të PS, kreu i PS u justifikua para deputetëve duke thënë se ndryshimet ishin në përputhje me direktivat e BE-së.
Por Rama gjatë fjalës së tij tha se ata që e kundërshtojnë nuk e kanë lexuar ligjin, madje sulmoi dhe eurodeputetët e gjelbër, që sipas ti, kanë agjenda e tyre.
Kreu i PS tha se ligjet do skanohen në vijim nga procesi i negociatave.
“Ndryshimet e vitit 2024 le ta mbajë shënim kush e dëgjon, në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vazhdojnë si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë edhe disa eurodeputetë që në rastin më të mirë nuk e kanë lexuar çfarë kemi ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan.
Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën evropiane dhe fatmirësisht nuk është këtu fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe por ka një proces në zbatim të kalendarit të negociatave ku do të skanohen një për një me KE për ta përputhur krejt atë ligj 100 përqind me direktivën e BE edhe ato ndryshime.
Kështu që ky konflikt i stisur do të zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit. Tani le të ngrejë dorën një i vetëm këtu në këtë sallë, jashtë mureve të kësaj salle, kudo në Shqipëri apo jashtë kufijve, dhe të thotë po e kisha imagjinuar në kohën e koreve shurdhuese të sharrave elektrike, dhe atyre shkulmuese të çifteve shfarosëse se do të vinte një ditë kur po në të njëjtin bulevard, kur në atë kohë protestuesit vriteshin si shpendët e lagunave nga dritaret e kryeministrisë, do të vërshonte një proteste masive qytetare për fatin e biodiversitetin të një lagune të vendit.”, tha Rama.
© Panorama.al











