“BE-ja, shumë e dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj”- Rama në konferencë me Presidentin e KiE: Brenda 2027 mbyllim negociatat! Ja apeli për vendet e rajonit

May 15, 2025 | 16:55

Kryeministri Edi Rama priti në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që zhvillohet në kryeqytet.

rama

Rama u shpreh se kjo vizitë është një kënaqësi e veçantë dhe një moment i rëndësishëm për të theksuar përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, dhe 8 të tjerë do të hapen së shpejti. Synimi ynë është që t’i hapim të gjithë kapitujt brenda këtij viti,” deklaroi Rama.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se ekziston një plan ambicioz i përbashkët me Komisionin Europian për të mbyllur negociatat brenda tre viteve, nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Rama theksoi se BE është më e hapur se kurrë më parë për të pranuar anëtarë të rinj, gjithmonë në bazë të meritës dhe rezultateve.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për zhvillimet rajonale dhe rëndësinë që ka kjo fazë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Dëshiroj të ftoj të gjithë kolegët e rajonit që të mos e humbasin këtë moment historik. Ky është një rast unik për të përfituar nga gatishmëria e BE-së,” theksoi Rama.

Rama: Mirëmbrëma Presidenti i Këshillit Europian është përsëri në Tiranë dhe sigurisht që kjo është një kënaqësi e veçantë për ne dhe natyrisht e personalisht është kënaqësi që të ritakohem me Presidentin, i cili është një mik i dashur edhe shumë i mençur.

I dashur Antonio shumë faleminderit!

Ne jemi këtu sot pasi Presidenti ka vizituar të gjithë rajonin dhe është ndalur në Tiranë dhe për faktin që nesër do jetë i pranishëm në takimin, në Samitin e Komunitetit Politik Europian.

Natyrisht që, diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Europian dhe me Bashkimin Europian, për aspektin e procesit tonë të rrugës drejt anëtarësimit që po ecën shumë mirë.

Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, 8 kapituj të tjerë do të hapen në ditët në vijim dhe synojmë që t’i hapim të gjithë kapitujt brenda vitit.

Ndërkohë që, siç e kam ndarë dhe publikisht gjatë gjithë fushatës elektorale në mënyrë të veçantë, plani i përbashkët me Komisionin Europian dhe i mbështetur nga vendet anëtare është që të arrimë të mbyllim negociatat në harkun e tre viteve, domethënë nga 2024 kur filluam, në 2027. Është një plan shumë ambicioz, por është një mundësi e jashtëzakonshme për ne, pasi janë rreshtuar yjet në njëfarë mënyre dhe BE sot, si asnjëherë më parë, të paktën në memorien time, është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj, por natyrisht bazuar në meritë dhe bazuar në rezultat.

Aspekti tjetër për të cilin folëm me Presidentin është natyrisht ecuria në tërësi e rajonit sepse dhe kjo është e lidhur me arsyen pse BE sot është në gatishmërinë më të lartë për të pranuar anëtarë të tjerë sepse dhe konteksti gjeopolitik është i tillë dhe unë dëshiroj që të përfitoj nga rasti dhe sot, por patjetër dhe nesër, kjo do jetë pjesë e diskutimit që t’i ftoj të gjithë kolegët e rajonit, miqtë e mi që të mos e humbasim këtë moment që historia na e ka sjellë në derë dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë gatishmëri të BE pa harruar që historia e gjithë këtyre viteve që procesi i zgjerimit mund të shpejtojë në një moment dhe mund të ngadalësohet për shumë vite.

E fundit, që dua të theksoj është që më vjen jashtëzakonisht mirë që këtu kemi dhe një mike të shtrenjtë të Shqipërisë, në fakt definicioni ekzakt nuk është mike, por është ish mike sepse tanimë është “skipëtare” nga Italia, Federica Moghnerinin,  që nuk e kuptoj akoma pse se ka bërë aplikimin për pasaportë shqiptare. Vetëm një justifikim ka që pret ta marrë pasaportën europiane të Shqipërisë, pra Europian Union Albania se nuk do këtë pasaportën me lëvizje të lirë, por pa të drejtë qëndrimi në BE.

Shumë faleminderit dhe studentëve të kolegjit që i shoh nga portreti që janë studentë kolegji se kanë një vezullim nga yjet e BE në portret.

© Panorama.al

Te lidhura