“Europa është këtu, Edi Rama ku është?”- Zv/Presidenti i PE i bashkohet protestës, vendos qeleshen në kokë: Është i frikësuar! Ju jeni në anën e duhur të historisë

Jun 29, 2026 | 21:21

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, njëkohësisht edhe eurodeputeti rumun,  Nicolae Ștefănuță, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e 30-të para Kryeministrisë me një qeleshe në kokë, duke shprehur mbështetjen për qytetarët shqiptarë.

Duke kujtuar rrëzimin e regjimit të Nicolae Çausheskut në Rumani, eurodeputeti tha se shqiptarët nuk duhet të presin më dekada për ndryshim.

“Unë isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të rrëzohej dhe ju pritët 30 vite derisa Enver Hoxha u rrëzua. Por tani nuk keni pse të prisni sërish aq gjatë. Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, eurodeputeti u bëri thirrje protestuesve të mos dorëzohen, ndërsa tha se Europa është në shesh, ndërsa Edi Rama jo, pasi sipas tij, është i frikësuar.

“Pse Evropa është këtu dhe Edi Rama nuk është këtu? Pse? Ndoshta sepse është i frikësuar. Dhe nëse është kështu, ju duhet të keni kurajë ta rrisni frikën e tij”, tha Ștefănuță, ndërsa deklaroi se rruga mund të jetë e gjatë, por protestuesit janë “në anën e duhur të historisë”.

Eurodeputeti Nicolae ȘTEFĂNUȚĂ në protestë: Unë jam zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, por jam edhe djali i një burri që rrit dele në Rumani. Ndihem këtu si në shtëpi. Shqipëria është motra jonë. Unë isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të rrëzohej, dhe ju pritët 30 vite derisa Enver Hoxha u rrëzua. Por tani nuk keni pse të prisni sërish aq gjatë. Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë.

Edhe në Rumani pati protesta për mjedisin që u quajtën të parëndësishme, por njerëzit reaguan, të gjithë erdhën dhe ata që nuk e besuan, edhe diaspora erdhi, sepse nuk ishte një çështje thjesht mjedisore, por ishte një çështje e madhe kombëtare. Për shpirtin e vendit tonë, për shpirtin e Evropës.

Ajo që dua t’ju them sot është se, kur ata t’ju thonë se energjia do të bjerë, njerëzit nuk do të vijnë, mos u besoni, sepse fuqia e vërtetë jeni ju. Kur njerëzit janë të zemëruar, politikanët janë të vdekur. Pse Evropa është këtu dhe Edi Rama nuk është këtu? Pse? Ndoshta sepse është i frikësuar. Dhe nëse është kështu, ju duhet të keni kurajë ta rrisni frikën e tij. Rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë. Zoti është me ju.

© Panorama.al

Te lidhura