Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se libri “The Albanian Files” do t’i dorëzohet Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar atë si një provë që, sipas saj, duhet të hetohet nga organet e drejtësisë.
Në fjalën e saj, Vatnikaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se po synon të përqendrojë pushtetin, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të firmosin në libër në shenjë kundërshtimi.
“Edi Rama mendon se me këtë libër mund të bëhet mbret, por nuk është më as kryeministër. Ky libër është arma e krimit. Çdo qytetar të firmosë duke treguar se nuk është dakord me atë që përfaqëson ky libër dhe më pas do ta dorëzojmë në SPAK që të hetojë Edi Ramën,” deklaroi aktivistja.
Në përfundim, ajo shprehu mbështetje për institucionet e drejtësisë, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme të nisë hetime ndaj kryeministrit.
“Ne jemi në mbështetje të drejtësisë së re. SPAK duhet të hetojë Edi Ramën,” u shpreh Vatnikaj.
Pas saj, fjalën e mori edhe aktivisti Edison Likaj, i cili përsëriti thirrjen për hetimin e kryeministrit dhe tha se libri do t’i dërgohet SPAK-ut.
“‘The Albanian Files’, ose siç e quajmë ne ‘Albanian Crimes’, do ta dërgojmë në SPAK. Meqë nuk po na dëgjojnë përmes kamerave, do t’u shkojmë vetë në SPAK. Të vazhdojmë me thirrjen: Hetoni Edi Ramën!” u shpreh Likaj.
© Panorama.al











