BE, 14.1 miliardë euro për rajonin

Dec 9, 2011 | 13:07
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle

Bashkimi Europian i ka akorduar vendeve të rajonit përfshirë dhe Shqipërisë një fond prej 14.1 miliardë eurosh për periudhën 2014-2020, me të cilat do të mbështeten reformat për t’u anëtarësuar në Union. Në një artikull të komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, në kuadrin e adoptimit nga Komisioni Europian të propozimit lidhur me Instrumentin e Para-Aderimit (IPA) më 7 dhjetor 2011, thuhet se kjo shumë i shtohet fondit prej 11.5 miliardë eurosh që vendet e rajonit kanë marrë nga viti 2007 deri në 2013-n. “Komisioni Europian aprovoi propozimin për të ripërtërirë mbështetjen e tij financiare të parapranimit, pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i cili do t’i japë formë të ardhmes së Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit vitet në vazhdim. Ne propozojmë një investim prej 14.1 miliardë eurosh ndërmjet viteve 2014 dhe 2020, për të mbështetur reformat në vendet që duan të integrohen në BE. Kjo i shtohet shumës prej 11.5 miliardë eurosh, të cilën e kemi dhënë nga viti 2007 deri në 2013-n. Ky angazhim i ripërtërirë u jep mundësi të reja vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit për të zhvilluar ekonomitë e tyre, për të forcuar qeverisjen dhe për t’u përgatitur për anëtarësim të ardhshëm në Bashkimin Europian”, thuhet në artikullin e komisionerit. Sipas tij, me këtë propozim Bashkimi Europian i jep një sinjal të qartë solidariteti dhe angazhimi të vazhdueshëm për integrimin europian, si dhe për mbështetje ndaj reformave demokratike. Fyle thekson se pavarësisht vështirësive aktuale ekonomike, dera e BE-së qëndron e hapur për të gjitha vendet, të cilat plotësojnë kriteret e nevojshme. “Lidhur me krizën ekonomike, kjo tregon më shumë së kurrë më parë që ne kemi nevojë për një instrument të efektshëm për të ndihmuar tranzicionin e rajonit, i cili do të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në të gjithë Europën. Kjo është e gjitha ajo që përmban propozimi i ri. Ne marrim përsipër ruajtjen e të njëjtit nivel financimesh duke filluar nga dita e sotme deri në vitin 2020, për të siguruar mbështetje financiare afatgjatë për procesin e reformave. Në të njëjtën kohë, ne propozojmë përmirësime konkrete në mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde për të arritur rezultate akoma më të mira. Këto instrumente të reja do të na lejojnë t’u përgjigjemi akoma më mirë nevojave dhe synimeve të partnerëve tanë”, theksoi më tej komisioneri. Sipas tij, “mbështetja jonë ndaj vendeve partnere do të bëhet më e shpejtë dhe më fleksibël; duam t’i shpërblejmë më të mirët. Duam të inkurajojmë projekte që janë drejtpërsëdrejti në përfitim të qytetarëve, si për shembull një administratë dhe shërbime publike më të mira, një Gjyqësor më të mirë dhe një luftë më të efektshme kundër krimit dhe korrupsionit, infrastrukturë të përmirësuar dhe mjedis më të shëndetshëm. Së fundi, duam që asistenca e re të jetë më fleksibël, duke siguruar që fondet të mund të shpenzohen më mirë aty ku ekzistojnë nevojat dhe kapacitetet për t’i absorbuar ato”.

© Panorama.al

Te lidhura