BB: Kreditë e këqija po bëhen problem

Jan 13, 2012 | 11:58

Përfaqësuesja e BB-së, Kseniya Lvovsky

Specialistët e Bankës Botërore: Pensionet, në presion nga plakja e popullsisë. Po skanojmë të gjithë sistemin.

Ekspertët: Kriza në BE mund të prekë financimin e borxhit publik.

Kreditë e këqija, të cilat kanë arritur një nivel relativisht të lartë, duket se janë kthyer tani në shqetësimin e radhës për institucionet ndërkombëtare. Nëse “refreni” i tri viteve të fundit ka qenë ulja e borxhit publik, tanimë fokusi është te monitorimi i sektorit bankar dhe kredive të këqija. Ekspertë të Bankës Botërore që kanë mbërritur në Tiranë, në kuadër të diskutimeve për kredinë shtesë që ky institucion do t’i japë Shqipërisë, kanë bërë edhe vlerësimet përkatëse mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare. “Janë dy fusha që kanë nevojë për adresim, më lejoni t’i përmend këtu, megjithëse ne nuk i kemi trajtuar ato në takimet tona, pasi është shumë herët për këtë. Është e qartë që Shqipëria tashmë është e prekur nga një nivel shumë i lartë i kredive të këqija, prandaj ne po punojmë për këtë me qeverinë dhe institucionet e tjera për ta trajtuar këtë çështje me kalimin e kohës. Së dyti, duam të përmirësojmë dhe kapacitetet e Bankës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave për të monitoruar performancën e sektorit bankar”, tha eksperti Michael Edwards, i Bankës Botërore. Sakaq, gjatë takimit që ekspertët dhe përfaqësuesja e BB-së, Kseniya Lvovsky, patën me median, u detajuan disa nga çështjet më kryesore lidhur me kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar hua shtesë, ulja e borxhit publik, ecuria e reformës së pensioneve.

Cilat janë kushtet që qeveria shqiptare duhet të plotësojë për të përfituar këtë ndihmë buxhetore nga BB? Do të ishim të interesuar të dinim sa do të ishte konkretisht fondi?
Kseniya Lvovsky: Janë më shumë se disa hua që po diskutohen në tavolinë. Prandaj, për të gjitha këto hua është e nevojshme që ne të kuptojmë edhe funksionimin e kuadrit makroekonomik. Një nga huat që ne do të diskutojmë me qeverinë shqiptare ka të bëjë me reformën financiare, prandaj sigurisht që kushtet kanë të bëjnë me sektorin financiar. Pjesa tjetër që ne po diskutojmë ka të bëjë me rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë. Qeveria e Shqipërisë kërkoi që të kishte vizita nga misionet e ekspertëve përkatës për të diskutuar sa u përket nevojave specifike dhe sasive të financimit, të cilat do të ishin të nevojshme për këto masa. Kam parë të qarkullojë në media shifra 100 milionë euro për financim. Nëse shohim angazhime specifike për reforma në sektorin financiar, atëherë për BB do të jetë e mundshme ta financojë këtë shumë dhe ndoshta një shumë më të madhe. Por, siç e thamë, ekipet kanë ardhur vetëm para dy ditësh dhe është shumë herët për t’i bërë këto specifikime të shumave, por në 2 javët e ardhshme ne do të kemi një ide më të qartë se çfarë do të financohet dhe në çfarë shume.
Ulja e borxhit publik është thjesht një kusht apo rekomandim?
Ronald D. Hood: Nuk kemi arritur ende në përfundimet e këtyre diskutimeve sa i përket huas. Ne kemi përfunduar diskutimet sa u përket politikave të zhvillimit të sektorit publik, dhe aty ne kemi parashikuar që të ketë një reduktim të borxhit publik, i cili për momentin është pothuajse afër 60 për qind.
Në raportin “Doing Bussines” të Bankës Botërore dhe në raportin e z. Hood shohim një përkeqësim të treguesve ekonomikë, veçanërisht në ata tregues ku ju keni marrë nismën për të ndihmuar financiarisht qeverinë shqiptare. Pra e kam fjalën për sektorin fiskal. Kemi deficitin më të lartë fiskal në rajon. Çfarë ka pasur parasysh BB kur ka ndryshuar strategjinë për të ndihmuar?
Ronald D. Hood: Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të borxhit në vendet e rajonit, por megjithëse nuk ka deficitin më të lartë fiskal në rajon. Duke shtuar këtë deficit fiskal, me kalimin e kohës ai sjell dhe borxhin më të lartë publik. Bota e kohëve të fundit është një vend i rrezikshëm, duke pasur parasysh zhvillimet në Europë. Për vende si Shqipëria, të cilat kanë një varësi shumë të madhe nga ajo çka ndodh në këto vende europiane, pasi shumë nga financimet që janë të nevojshme për të mbuluar borxhin publik vijnë nga vendet e Europës. Kështu që në të dyja rastet, Shqipëria është e prekshme nga zhvillimet e këtyre vendeve europiane. Vendet që kanë nivel më të lartë të borxhit publik janë më të prekshme se sa vendet që e kanë këtë nivel më të ulët. Prandaj ne jemi të shqetësuar sa i përket nivelit të borxhit publik dhe sa i përket deficitit fiskal, i cili pastaj i shtohet këtij borxhi publik. Ne patëm një takim të këndshëm dje dhe prekëm disa nga këto çështje.
Nga takimet e deritanishme, çfarë keni vënë re që duhet ndryshuar nga politikat e qeverisë në programin e saj? Cilat kanë qenë shkaqet në këto politika që kanë shkaktuar një rritje të borxhit publik? Cili është kërcënimi për Shqipërinë nëse kalohet 60 përqindëshi?
Michael Edwards: Ka disa lajme të mira të përgjithshme sa i përket Shqipërisë. Që nga shtatori, sektori bankar dhe sektori financiar ka performuar mjaft mirë. Janë nja dy fusha që kanë nevojë për adresim, më lejoni t’i përmend këtu, megjithëse ne nuk i kemi trajtuar ato në takimet tona, pasi është shumë herët për këtë. Është e qartë që Shqipëria tashmë është e prekur nga një nivel shumë i lartë i kredive të këqija, prandaj ne po punojmë për këtë me qeverinë dhe institucionet e tjera për ta trajtuar këtë çështje me kalimin e kohës. Së dyti, duam të përmirësojmë dhe kapacitetet e Bankës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave për të monitoruar performancën e sektorit bankar. Ne në thelb duam të përmirësojmë edhe aftësinë reaguese të Shqipërisë dhe me sa efektivitet mund të përgjigjet Shqipëria nëse do të kemi një ndikim të jashtëm të fortë mbi ekonominë shqiptare. Shumë e qartë që Banka e Shqipërisë ka  marrë disa hapa gjatë 2010-s dhe 2011-s për të qenë proaktive, për t’iu përgjigjur kësaj situate dhe e fundit janë mendimet në ligjin për bankat që u bënë vitin e kaluar. Ne shpresojmë që gjatë këtyre veprimeve që po ndërmarrim tashmë me qeverinë, ne të jemi në gjende për të përmirësuar qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj këtyre ndikimeve të jashtme nga eurozona dhe në fund fare, në afat të mesëm, të përmirësojmë dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Ronald D. Hood: Nuk ka shumë për të shtuar. Nëse një qeveri do të jetë e suksesshme në marrjen e këtyre financimeve, varet nga suksesi i negociatave që ne do të kemi me secilin nga këto vende. Siç e përmenda më parë, ka gjithmonë dy aspekte në këto negociata: është kuadri makroekonomik që përfshin borxhin publik dhe aspekti tjetër, më specifik, i cili ka të bëjë me sektorin financiar apo rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë.
Në ç’fazë është aktualisht hartimi i reformës së pensioneve, e cila po asistohet nga Banka Botërore?
Melis U. Guven: Sistemi i pensioneve në Shqipëri përballet me disa sfida, sikurse shumë sisteme pensionesh në botë, veçanërisht tani kur kushtet ekonomike po përkeqësohen, si dhe në plakjen e popullsisë në periudhën afatgjatë. Duke i pranuar këto sfida, pati një kërkesë nga qeveria për Bankën Botërore, për t’i asistuar për reformën e pensioneve. Për ta bërë këtë ne kemi nevojë së  pari për të bërë një diagnostikim të sistemit aktual, situatës aktuale, qëndrueshmërisë fiskale dhe nivelit të përfitimeve në planin afatgjatë, duke marrë në konsideratë parametrat e sistemit të pensioneve dhe indikatorët ekonomikë. Në këtë moment, së bashku me qeverinë ne po bëjmë këtë diagnostikim në mënyrë që qeveria të mund të jetë e informuar për të ndërmarrë vendime për politikat dhe mbi mundësitë që ka për to.

Financat mbyllin buxhetin e 2011
Sot Ministria e Financave mbyll buxhetin e vitit 2011. Ministri i Financave, Ridvan Bode, pritet që të japë shifrat mbi realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve përgjatë vitit të kaluar, si dhe një vlerësim të përgjithshëm mbi treguesit ekonomikë.

Parashikimi për ekonominë
Banka Botërore pret që Shqipëria të ketë një rritje ekonomike prej dy përqindësh përgjatë vitit 2012, një shifër kjo sa mesatarja e gjithë rajonit, që konkretisht është parashikuar të jetë 2.1 për qind. Gjithsesi, në kushtet e një vlerësimi të përgjithshëm mbi zhvillimet e fundit në eurozonë, BB nuk përjashtoi mundësinë e përkeqësimit apo uljes së nivelit të rritjes ekonomike të parashikuar. Për ekspertët e BB, pasiguria është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe marzhet e gabimit janë më të mëdha.

“Qeveria, realiste në vlerësimet e saj”
Qeveria shqiptare ka parashikuar një rritje ekonomike 6 për qind për vitin 2012 dhe për ekspertët e Bankës Botërore kjo nuk është e pamundur, por gjithmonë do të varet nga zhvillimet në eurozonë. “Bazuar në vlerësimin tonë ne shohim se parashikimi për rritjen nominale, mbi të cilën bazohen projeksionet e ardhurave për vitin 2012, janë realiste. Pak a shumë, në të njëjtën linjë me projeksionet tona. Por këtu duhet të kemi parasysh se kjo bazohet në parashikimet se rritja ekonomike europiane do të vazhdojë”.

© Panorama.al

Te lidhura