Liderët ekonomikë globalë kanë paralajmëruar se ekonomia botërore ka hyrë në një fazë të errët dhe të rrezikshme. Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellik dhe kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Legarde, e përcollën këtë mesazh në fjalimet e tyre, në takimin vjetor ekonomik në Uashington. Zoellik tha: “Unë ende mendoj se nuk ka gjasa të ndodhë një zhytje e dyfishtë në recesion për ekonomitë më të mëdha të botës. Por po shoh se besimi im po gërryhet çdo ditë nga lajmet e vazhdueshme të vështirësive ekonomike”, tha ai. Zoellik ka paralajmëruar gjithashtu se Europa, Japonia dhe SHBA-të duhet të veprojnë menjëherë për të sulmuar problemet e tyre financiare, përpara se ato të përhapen në vende më pak të kamura. “Një krizë në botën e zhvilluar mund të kthehet në një krizë edhe për vendet në zhvillim”, tha ai. Zoellik iu kërkoi ekonomive të mëdha të adresojnë shqetësimet e tyre dhe u fokusua në sfidat me të cilat përballen tregjet ekonomike që cilët gjatë viteve të fundit kanë nxitur rritje globale. Situata për tregjet “mund të ndryshoje drejt më së keqes”, tha ai, “duke kërcënuar potencialisht rimëkëmbjen ekonomike globale”. Zoellik shtoi se “Rënia e eksporteve ishte një shqetësim, tani rënia e tregjeve dhe mosbesimi mund të nxisin rrëshqitjen edhe nga investimet në vendet në zhvillim dhe një tërheqje pas të konsumatorëve të tyre”. Ai theksoi se zyrtarët kanë parë rritjen e shpërndarjes së bonove për tregjet në zhvillim gjatë dy muajve të fundit, si dhe një rënie në rrjedhjet e kapitalit. Kreu i BB-së paralajmëroi edhe nga spektri i proteksionizmit, duke sugjeruar se shtetet mund të zgjedhin politikat “varfërojmë fqinjin tonë”, nëse sfida vazhdon. “Disa po ecin me një politikë të tendosur monetare, duke balancuar presionet e çmimit, dhe këto janë rreziqe të reja. Ka shtim të paqëndrueshmërisë dhe çmime të larta të ushqimit e kërcënim mbi rritjen e proteksionizmit, dhe ju mund të shikoni se vendet në zhvillim përballen me erëra të forta në rritje”, theksoi Zoellik. Ndërsa kryetarja e FMN-së, Kristine Legarde, e cila foli pas kreut të BB-së, tha se kishte një rrugë për rimëkëmbjen globale, por ajo është më e ngushtë nga sa ishte tri vite më parë. Legarde shtoi se me qëllim për të pasur progres në këtë rrugë, liderët globalë duhet të tregojnë vendosmëri politike dhe një aftësi për të parashikuar në afate të gjata.
Takimi vjetor
FMN-ja dhe BB thanë se takimi i tyre këtë vit ndodh në një “kohë kritike për ekonominë globale”, për shkak të turbulencave në tregje dhe rritjes së rrezikut. Rreth 10000 politikëbërës, liderë biznesi dhe civilë, akademikë e gazetarë janë në Uashington, për të biseduar të premten dhe të shtunën mbi veprimet e politikat që duhen ndërmarrë për t’u përballur me sfidat ekonomike.











