Në 6 muajt e fundit, jeta e Luixhi Sartorit ka ndryshuar rrënjësisht. Më datë 24 mars 2011, ish-mbrojtësi i Romës, nëpërmjet kartës së tij telefonike angleze, bisedon dhe kërkon të njihet me faktet e fundit që po hetohen në Itali, lidhur me skandalin e basteve. Sartori duket se ka qenë një nga mediatorët e trukimit të ndeshjes Inter-Leçe (edhe pse ai nuk e pranon vetë), e cila duhet të përfundonte me të paktën tre gola të shënuar. Në një telefonatë me ish-mbrojtësin e Barit, Antonio Belavista, ai kërkon t’i saktësojë shokut të tij se italianët dhe kinezët kanë nisur ta shqetësojnë e ta frikësojnë me mesazhe kërcënuese, duke qenë se pazari i ndeshjes ishte prishur (Inter-Leçe mbaroi 1-0).
SARTOR: Unë jam interesuar fare pak lidhur mbi këtë gjë, sepse nga ana tjetër kanë nisur të më frikësojnë disi.
BELAVISTA: Çfarë? Mua personalisht nuk më trembin aspak, pasi fundja kam humbur vetë gjithë ato para. Aty në Peskara është njëri që të detyrohet ty 20 mijë, por është i gatshëm të paguajë edhe 20 mijë të tjera për t’u futur në xhiro. Pastaj, në lidhje me 50-mijëshen me ata në Bolonja, kjo është një gjë që të takon ty ta zgjidhësh, ashtu sikurse me 300-mijëshen. Pastaj, cili ishte ai që ia dha këtë ‘teke’ (bastin) të gjithëve, sepse jam i bindur që ti e njeh personin (ai që e siguroi këtë bast ishte ish-portieri i Beneventos, Marko Paoloni, aktualisht në burg).
Sartor: Unë po të them se nuk është detyra ime të shkoj sa majtas djathtas…
Belavista: Po atëherë, e kujt qenka detyra që të shkojë të marrë… (eurot). Nëse nuk e zgjidh ti këtë, atëherë thuaju atyre të vijnë t’i marrin vetë nga Kina, dërgoji në Leçe, dërgoji te personi që ia siguroi dhe më pas ata të merren vetëm me atë që na hodhi në erë.
Sartor: Mbase nuk e kuptove, unë nuk mund të komunikoj me ta, sepse nuk kam asnjë kontakt. Çdo gjë më urdhërohet me mesazhe, ndaj tani sqaroji që unë nuk kam asnjë përgjegjësi.
Më datë 14 korrik 2011, Luixhi Sartori i telefonon së ëmës Emanuela për t’i uruar ditëlindjen, bisedë e cila përqendrohet te hetimi i Prokurorisë së Kremonës mbi bastet.
SARTOR: Unë do vazhdoj të eci përpara, edhe pse vazhdoj të kem në kokë vetëm çështjen e basteve. I thashë avokatit tim të shkonte të pyeste në Prokurori nëse duan të më dëgjojnë, sepse është dikush aty që ka përmendur emrin tim, i cili më ka futur në valle, në rolin e llogaritarit. Ndaj, nëse dikush do nisë të hetojë dhe ta zbulojë që unë kam folur me Bepen (Sinjorin), atëherë jam një njeri i vdekur. Bepe gjithmonë ka vënë baste, por unë nuk kam luajtur kurrë një euro në jetën time. Por sido që të shkojë, ta dish se unë nuk kam bërë gjë, ndonëse frika më ka hyrë deri në palcë, pasi tani janë dy palë që më duan të vdekur.
22 ndeshjet
Hetimet vazhdojnë të sjellin risi në zbardhjen e çështjes së rezultateve të paracaktuara, mbi të gjitha të atyre në Serinë A, dhe nga konfirmimet e fundit rezulton se takimet e trukuara vjet mes ekipeve më të mira italiane kanë qenë 22. Ato përfshijnë skuadrat e Xhenoas, Bolonjës, Kaljarit, Lacios dhe Napolit. Shumat më të mëdha janë luajtur në takimet Napoli-Sampdoria, Breshia-Bari dhe Breshia-Leçe.
Doni luajti 10 mijë euro për Padova-Atalanta
Zbardhen të tjera fakte të hetimeve mbi çështjen e trukimit të ndeshjeve në lidhje me arrestimin e Kristiano Donit. Por këtë herë duket se përveç kapitenit, rrezikon rëndë edhe klubi i Atalantës. Kjo, sepse është zbuluar një telefonatë mes Donit dhe këshilltarit administrativ të klubit, Isidoro Fratus, e datës 24 mars 2011, dy ditë përpara ndeshjes Padova-Atalanta. Biseda ka nisur në orën 18:18 dhe ka zgjatur 4 minuta, në mes TV së cilës është “shqetësuar” edhe nga tri mesazhe. Aty është zbuluar se ndeshja ishte trukuar me dijeni të të dyja skuadrave, dhe ishin vënë në bast 23 milionë euro mbi barazimin (takimi përfundoi 1-1), përveç 10 mijë eurove të luajtura vetë në një pikë bastesh italiane nga kapiteni i Atalantës, Doni.
Turqi, Fenerbahçe ka trukuar 5 ndeshje sezonin e kaluar
Komiteti i Etikës në Federatën Turke të Futbollit ka bërë të ditur se ka zbuluar që Fenerbahçe ka tentuar të trukojë rezultatin e 5 ndeshjeve gjatë sezonit të kaluar, kur skuadra fitoi titullin në kampionatin vendës. Ditën e hënë, e përditshmja turke “Sabah” zbardhi atë që mendohet të jetë raporti i grupit në lidhje me skandalin e trukimit të ndeshjeve që ka përfshirë futbollin vendës. Sipas hetimeve të deritanishme, mendohet se një nga takimet që Fernebahçe ka tentuar të trukojë, ishte fitorja e tyre 4-3 ndaj Sivasporit në javën e fundit të sezonit të kaluar. Sipas raportit të zbuluar, klubi u ka ofruar gjithashtu parà edhe skuadrave që luanin kundër rivalëve direkt për titull, Trabzonsporit dhe Bursasporit, në 6 raste. Komiteti i Etikës ishte ngarkuar që të analizonte të gjitha të dhënat e grumbulluara nga prokurorët, si pjesë e investigimeve për trukimet e ndeshjeve, dhe e ka nxjerrë raportin përfundimtar më 15 gusht.
Leonard Karaj
© Panorama.al











