Bastet, vetëvaret biznesmeni

Dec 12, 2011 | 13:49

Policia: Dyshimi pas ngjarjes në fund të ndeshjes Real-Barcelona.

Pronari i një restoranti në zonën turistike të Durrësit i jep fund jetës duke u vetëvarur në banesën e tij. Burime të Policisë bënë të ditur se janë njoftuar nga familjarët për vetëflijimin e shtetasit Arben Haxhia. 45-vjeçari kishte shfrytëzuar momentin kur ka qenë i vetëm në banesën e tij në lagjen Nr.1 të qytetit, duke i dhënë fund jetës. Në momentin që familjarët janë kthyer në banesë mbrëmjen e së shtunës, ata e kanë gjetur viktimën të vetëvarur me litar në ambientet e kuzhinës. Ata kanë gjetur afër tij edhe një letër lamtumire, por në të nuk citohej shkaku i këtij vendimi fatal. “Më falni për këtë që po bëj. Ju nuk keni lidhje me vendimin që kam marrë. Ju dua shumë”. Kjo mësohet të ketë qenë përmbajtja e letrës së lënë nga 45-vjeçari, baba i dy fëmijëve. Për të mësuar më shumë për jetën e viktimës, policia ka shoqëruar në ambientet e saj rreth 10 persona, familjarë, të afërm dhe miq të tij. Por ata kanë mohuar të kenë pasur dijeni për një problem që mund ta ketë shtyrë Haxhinë drejt këtij vendimi fatal. Sipas tyre, Arbeni dhe familja e tij bënte një jetë të qetë. Ata u shprehën para grupit të hetimit se nuk kishin vënë re ndonjë shqetësim tek ai. Prej disa vitesh 45-vjeçari menaxhonte një restorant që e kishte marrë me qira në afërsi të Universitetit të Durrësit, përgjatë rrugës që të çon në Currila. Burime të Policisë bënë të ditur se nuk ka ndonjë të dhënë që ai të ketë pasur kërcënime apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me ndonjë borxh të mbartur prej tij. Megjithatë, burime të Policisë bënë të ditur se pista kryesore në të cilën janë duke hetuar është humbja e ndonjë shume të madhe në ndonjë prej lotove të qytetit. Kjo pasi blutë kanë konstatuar sipas dëshmive të miqve të tij se ai luante disa herë në to. Duke qenë se mbrëmjen e ngjarjes ka qenë edhe një ndeshje mjaft e fortë ndërmjet dy skuadrave të Spanjës, dyshohet se viktima mund të ketë hedhur një shumë të madhe basti, të cilën më pas e ka humbur. Por kjo pistë nuk është ende zyrtare derisa të kryhen verifikimet e nevojshme. Sipas bluve, ata janë duke hetuar nëpër disa pika lotoje për të verifikuar dyshimin e tyre. Dyshohet se në momentet e vetëflijimit, babai i dy fëmijëve të ketë pësuar një tronditje të fortë psikologjike. Por të afërmit e tij mohojnë që të ketë shfaqur gjatë ditëve të mëparshme shenja depresive apo që ai të jetë kuruar ndonjëherë nga depresioni. Kjo deklaratë e familjarëve dhe të afërmve të 45-vjeçarit Haxhia, ka bërë që policia të hetojnë në pistën e mësipërme.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

VLORE: Plagoset me një plumb në bark 29-vjeçari
VLORE – Një 29-vjeçar është plagosur ditën e djeshme me një plumb në bark. Sipas Policisë, Armando Gega, ka shkuar vetë me këmbët e tij në ambientet e spitalit rajonal të Vlorës. Menjëherë bluzat e bardha kanë lajmëruar policinë për plagosjen e të riut dhe mbërritjen e tij në spital për ndihmë. Specialistë të krimeve pasi kanë shkuar në spital, kanë marrë të dhënat e duhura për personin e plagosur, ndërkohë që i riu ka qenë në ambjentet e sallës së operacionit për ndërhyrjen kirurgjikale. Sipas mjekëve të spitalit të Vlorës, gjendja e të riut është jashtë rrezikut, pasi është hequr plumbi në bark. I plagosuri është marrë në pyetje pas daljes së narkozës, por ai nuk ka pranuar të tregojë mbi rrethanat e ngjarjes. Nga të dhënat e policisë mësohet se fakti që ai ka shkuar me këmbët e tij në spital do të thotë se ngjarja ka ndodhur pranë spitalit. Këqyrja e plumbit në bark ka vërtetuar se arma me të cilën është qëlluar 29-vjeçari ka qenë armë e kalibrit të vogël, ndërsa qitja është kryer nga afër. Policia e Vlorës po punon për të zbardhur ngjarjen dhe autorët e mundshëm të saj.                  q.b

© Panorama.al

Te lidhura