Bastet në Azi, Kamorra paguante

Dec 21, 2011 | 13:15

Midis organizatës nga Singapori që trukonte ndeshjet dhe Kamorrës kishte një kontratë bashkëpunimi. Në bazë të saj, bastet mund të hidheshin në kompanitë e basteve në Singapor dhe paratë e fituara të mund të merreshin në Itali nga organizata mafioze italiane. Policia europiane Interpol ka marrë të dhënat për skemën e bashkëpunimit nga një prej të penduarve, sllavi Crtvak, që ka dhënë informacione për Italinë dhe kreun e organizatës, singaporianin e thërritur Dan. Sllavi i arrestuar nuk dha detaje sa u përket ndeshjeve të trukuara, ndryshe nga tajlandezi i vënë në pranga në Finlandë, që po flet për futbollin botëror. Ai tregoi për trukime në kampionatet afrikane në disa Europian-e, si edhe në Itali. Bëhet fjalë për rezultatin 4-0 në kampionat, “Over” (lart mbi tri gola), për t’u luajtur në baste. Interpoli është përqendruar në hetime, njësoj si Prokuroria e Napolit, ku nga njëra anë disa klane së bashku me lojtarët trukonin ose përpiqeshin të trukonin ndeshje të Serisë A, a të kampionateve inferiore. E dyta ka të bëjë me agjencitë e basteve. Kamorra kishte blerë direkt bastexhinj të jashtëm, që u ishte kërkuar të vinin baste në Itali. Pastaj duke hedhur baste njëkohësisht për të tria rezultatet, në këto kompani bastesh të tyret, ata riciklonin paratë, pra i pastronin. Sipas hetuesve të çështjes “Last Bet”, objektivi i organizatës me qendër në Singapor nuk ishte ai që të favorizonte një ekip të caktuar, por që të alternonte rezultatet për të luajtur në ndeshje “Over” ose Under”, pra +3 ose -3 gola, si edhe për të vënë baste në kohë reale gjatë zhvillimit të takimit. Zakonisht kompanitë e basteve për këto dy rezultate vendosnin koeficiente të barabarta, 2.5. Por ekzistojnë “Over” dhe “Under” me koeficientet 1.5 (mbi ose më pak se dy gola) dhe 3.5 (mbi 4 gola). Dhe pikërisht këto koeficiente të larta ishin objektivi i organizatës. Bastet përgjithësisht hidheshin në kompanitë me qendër në Azi, pasi konsiderohen më të sigurta nga kontrollet. Një formë tjetër ishte ajo ku bastet hidheshin drejtpërdrejt, e ku organizata kishte njeriun e saj për të parë takimin. Mënyrë e të luajturit është ajo gol-gol. Fitohet nëse të dyja ekipet arrijnë të shënojnë vetëm një herë.

Sinjori
Hetuesit kanë zbuluar se njëri prej bosëve të organizatës mafioze nga Singapori ishte në shtëpinë e ish-futbollistit të përfaqësueses italiane, Bepe Sinjori. Sipas hetuesve, ish-lojtari Luixhi Sartori më 27 shkurtin e kaluar çoi në shtëpinë e Sinjorit, Hok Kheng Pho, 42 vjeç, bashkëpunëtori më i ngushtë i shefit Eng Tan Set. Hetuesit kanë vërtetuar prova të tjera të ‘grupit të bolonjezëve’.

Moxhi
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, përpiqet që të mos e paraqesë shumë tragjike situatën në futbollin italian. Ai del kundër prokurorëve, të cilët sipas tij, ndërhyjnë në përgjimet e bëra ndaj të akuzuarve, duke ndryshuar kuptimin e frazave. Moxhi shprehet se akuzat janë të rënda, por bota e futbollit nuk është kaq e zezë. Deklaratat e tij vijnë, pasi edhe vetë ai është bërë pjesë e një skandali të madh të trukimit.

Gjyqtari
Gjyqtari kinez, Huang Junjie, ka pranuar në gjykatë që ka marrë parà për të qenë i njëanshëm në gjykim. Ish-arbitri i FIFA-s thuhet se ka marrë si ryshfet 189 mijë euro mes viteve 2005-2009, ku gjatë kësaj kohe ka manipuluar 8 ndeshje. Mes ndeshjeve të trukuara thuhet se ka qenë edhe miqësorja mes Mançester Junajtid dhe Shenzhen në vitin 2007. Junjie ka pohuar se ka pranuar ryshfet nga kolegu i tij Ueiksin Zhou.

Farina / Denoncimi, 200 mijë eurot që zbuluan skandalin
Pikënisja e shkatërrimit të organizatës mafioze me bazë në Singapor, që tronditi sërish futbollin italian, është futbollisti Simone Farina. Ai u kontaktua nga njerëzit e organizatës dhe iu ofruan 200 mijë euro, për të ‘stisur’ rezultatin e takimit të Kupës midis Çesenas dhe Gubios, por refuzoi. Mbrojtësi denoncoi këtë gjë dhe menjëherë hetuesit arritën të vinin në pranga 17 persona, mes tyre edhe ish-kapitenin e Atalantës, Kristiano Doni. I pyetur për këtë, lojtari përgjigjet: Unë kam bërë vetëm detyrën time”. Është vetëm kjo frazë e dalë nga goja e tij, pasi klubi i ka kërkuar që të mos bëjë asnjë deklaratë në media. Por tashmë Farina ka marrë vlerësimet më të mëdha nga lojtarë të tjerë, prokurorë dhe njerëz që e duan futbollin për ndershmërinë dhe përulësinë që ka për këtë lojë. Organizata që prokurori i Çezenas, Di Martino, kishte kohë që hetonte, hyri në kontakt me të, pak para sfidës së Kupës.

© Panorama.al

Te lidhura