Bashkia: Infrastrukturë sigurie për 36 shkolla

Sep 27, 2011 | 11:10
Jorida Tabaku

Përfundon ndërtimi i infrastrukturës së sigurisë në 10 shkolla të kryeqytetit. Bashkia brenda një kohë shumë të shkurtër pritet të bëjë të njëjtën gjë edhe në 36 shkolla të tjera. Nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, mori pjesë në përfundimin e punimeve në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë. Nxënësit e kësaj shkolle kanë qenë deri më tani shumë të ekspozuar ndaj rrezikut të trafikut të makinave. “Bashkia e Tiranës e ka prioritet sigurinë e fëmijëve dhe të nxënësve. Kemi ndërhyrë në mënyrë energjike, dhe deri tani janë 10 shkolla në Tiranë me infrastrukturë të re të sigurisë, që janë kangjellat mbrojtëse, vijëzimet dhe sinjalistika. Shumë shpejt, këto masa sigurie do t’i kenë edhe 36 shkolla të tjera në kryeqytet. Ju e shihni se sa e nevojshme ka qenë kjo ndërhyrje këtu te shkolla “Vasil Shanto”, që është e ekspozuar ndaj rrezikut të trafikut të makinave”, tha Tabaku. Ndërkohë, aktualisht punimet kanë përfunduar në 10 shkolla si: “Skënder Caci”, “Shkolla e Kuqe”, “Bajram Curri”, “4 Dëshmorët”, “1 Maji”, “Pjetër Budi”, “Çajupi”, “Partizani”, “Ahmet Gashi”, “Vasil Shanto”.

© Panorama.al

Te lidhura