Bashkia: Gati karta e studentit

Nov 5, 2011 | 12:54
Lulzim Basha dje në promovimin e kartës të studentit

Tarifa të reduktuara për kinematë, teatrin, muzetë apo stadiumet. Transport publik falas dhe një sërë shërbimesh të tjera. Karta e studentit tashmë është gati. Brenda një kohe të shkurtër atë mund ta përfitojnë të gjithë ata që ndjekin shkollën e lartë në kryeqytet. Numërohen 100 mijë studentë në universitetet publike apo private, të cilët do të kenë mundësi që të shpenzojnë më pak për të gjitha aktivitetet e tyre.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nënshkroi dje memorandumin e bashkëpunimit me 5 rektorët e universiteteve publike të Tiranës, me qëllim pajisjen e studentëve me Kartën Bashkiake të Studentit. Përmes memorandumit, do të bashkërendohet puna duke ngritur grupe të përbashkëta, shkëmbyer informacionin dhe monitoruar procesin. Karta e studentit parashikon një sërë lehtësirash në përfitimin e mallrave dhe shërbimeve nga entet publike dhe private. Synimi është reduktimi i çmimeve ose marrja e këtyre shërbimeve falas. Karta e Studentit synon përmirësimin e jetës ekonomike të studentëve, uljen e kostos së jetesës dhe formimit akademik, rritjen e aksesit në një kategori shërbimesh me qëllim rritjen e cilësisë së jetës, krijimin e statusit të studentit.
Çfarë përfitohet
”Ajo që na ka mbledhur sot është përfundimi i një etape vendimtare për Kartën e Studentit, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Bashkisë së Tiranës dhe këtyre universiteteve publike. Ashtu siç premtova, 100-ditëshi i parë shënonte si një objektiv kryesor përfundimin e përgatitjeve për Kartën Bashkiake të Studentit”, tha Basha. Ai shtoi se sa u përket përfitimeve, deri tani është rënë dakord me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për hyrjen falas në Muze, në Galerinë Kombëtare të Arteve, në TOB, në stadiumin “Qemal Stafa”, me përjashtim të ndeshjeve kombëtare ku do të vazhdojnë negociatat me Federatën, me pallatin e sportit “Asllan Rusi”, me Postën Shqiptare, për tarifa zero dhe të reduktuara për të gjitha shërbimet që ofron, me Shoqatën e Bankave dhe Bankën e Shqipërisë, për tarifa të reduktuara për shërbimet, lehtësira për marrje kredie për studimet. “Jemi në proces negocimi me Ministrinë e Transportit dhe komunitetin e ofruesve të shërbimit të transportit publik në Tiranë për të përparësuar me objektivin tim, për të ofruar shërbimin publik, shërbimin e transportit publik falas për studentët e Tiranës”, tha kryebashkiaku. Sipas Bashës, vazhdojnë diskutimet me Dhomën e Tregtisë për të përcaktuar të gjitha modalitetet për bizneset që dëshirojnë të ofrojnë shërbime, ndërkohë që një numër i madh i këtyre bizneseve kanë bërë ofertat e tyre në Bashkinë e Tiranës, oferta të cilat do të përfshihen në shërbimet që kjo kartë ofron me tarifa të reduktuara shërbimi nga bizneset, komuniteti i bizneseve në qytetin e Tiranës.

Përfitimet
. Transport publik falas

. Hyrjen falas në:
– Muze
– Galerinë e Arteve
në TOB
– Në stadiumin
“Qemal Stafa”
– Në pallatin e sportit “Asllan Rusi”

. Tarifa zero
– Me Postën Shqiptare
– Me Shoqatën e Bankave
– Me Bankën e
Shqipërisë

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura