TIRANE- Bashkia e Tiranës dhe prezenca e OSBE-së në Tiranë do të perfshihen në projekte të përbashkëta me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti sot në një takim, ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ku të dy ranë dakord për bashkëpunim në disa fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës në Tiranë.
Në fjalen e tij, ambasadori Wollfarth tha se OSBE do të japë ndihmën e saj në disa aspekte të ndryshme, në fusha si trafiku, krijimi i hapësirave të gjelbra që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit si dhe në kushtet e jetesës për qytetarët e Tiranës.
“Një tjetër aspekt i diskutimit tonë ishte dhënia e lejeve, e cila do të jetë një proces transparent dhe i garantuar. Ky është një aspekt që duhet të kryhet, në përputhje me ligjin dhe është një nga fushat ku do të vazhdojë bashkëpunimi i OSBE-së me Bashkinë e Tiranës”- tha Wollfarth.
Edhe kryetari Basha nga ana e tij tha se, bashkëpunimi do të jetë në disa fusha, që nga ndërgjegjësimi i qytetarëve e deri tek projektet konkrete, për të përmirësuar çështjen e mbetjeve, për përmirësimin e çështjeve mjedisore në qytetin e Tiranës.
Krijimi i një parku të ri, ndërhyrja në gjelbërim apo ndërhyrjet në trafik, nga sheshi “Skëndërbej” e deri tek rrethrrotullimi i Doganës, janë disa nga prioritet që kryebashkiaku Basha, tha se janë prioritet e administratës së tij.
© Panorama.al











