Bashkëshorti i ish-kryeministres së Ukrainës, tashmë në burg, Julia Timoshenkos, ka kërkuar azil në Republikën Çeke. Kështu ka shkruar një e përditshme çeke të enjten, një lajm që u konfirmua të premten edhe nga agjencia “Reuters” nëpërmjet një burimi të qeverisë së Çekisë. Ndërsa zëdhënësi i ministrit të Brendshëm ka refuzuar të japë komente për AFP-në mbi kërkesat për azil. Po ashtu edhe partia e Timoshenkos nuk ka komentuar. Thuhet se kërkesa për azil është bërë në fund të vitit 2011, një lajm i pohuar nga ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg. Meqë ai ka lidhje biznesi me këtë vend, pritet ta fitojë këtë kërkesë. Ish-kryeministrja ukrainase, Timoshenko, u dënua me shtatë vjet burg për “abuzim me pushtetin”, akuzë të cilën ajo e ka mohuar.











