TIRANE- Plani Urbanistik i Tiranës do të shtrihet përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. Në mbledhjen e sotme të grupit strategjik, Bashkia e Tiranës në prani edhe të Këshillit të Qarkut Tiranë ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit me Bashkinë Kamëz dhe 5 komuna përreth, Komunën Paskuqan, Komunën Dajt, Komunën Farkë, Komunën Kashar dhe Komunën Vaqarr.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, tha se “zhvillimi urban i metropolit thërret për një klimë të re të planifikimit të territorit, për t’i kthyer atij sigurisht edhe klimën e duhur të zhvillimit ekonomik, si synim parësor i Bashkisë së Tiranës.”
“Si rrallëherë, në përvojat planifikuese ne i kemi kushtuar vëmendje disa çështjeve të rëndësishme për diskutim në grupin strategjik, ndërtimin e një metodologjie bashkëkohore, hartimin e parimeve të zhvillimit, ndërtimin e një ndjeshmërie të veçantë mjedisore për planin, hartimin e parimeve bazë të rrjetit rrugor dhe ndërtimin e një procesi të kujdesshëm analitik mbi zhvillimet urbane në Tiranë, procese që kanë kërkuar jo vetëm një volum të konsiderueshëm pune të ekspertëve, por mbi të gjitha një energji të jashtëzakonshme nga ju, për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto tema dhe çështje”- tha Basha.
Plani Urbanistik do tu prezantohet qytetarëve përmes sesioneve të diskutimit publik.
© Panorama.al











