Bashkëjetesa me krimin

Sep 17, 2011 | 11:25

EDLIRA GJONI

Vrasja e një gjyqtari në mes të ditës, me metodë të sofistikuar e të mirëllogaritur (që është e vështirë të bëhet nga njerëz të thjeshtë, të mërzitur me ndonjë vendim gjyqi), dha më shumë se një mesazh. Ende nuk është e qartë se për kë ishte mesazhi kryesor, por për njerëzit rreth organizatorëve të vrasjes, të të vrarit dhe të tjerëve, ngjarja shkon përtej logjikës humane. Ndaj edhe nuk është e kapërdirë për njerëzit që u ka rënë fati të marrin frymë në Shqipëri. Por, teksa vrasja e një njeriu, që është pjesë e sistemit të Drejtësisë, mbart me vete kleçka që s’i dinë as vetë të përzierit në ngjarje, disa vdekje të tjera tronditëse ndodhën ditët e fundit në vend. Një volejbollist 24-vjeçar i Teutës vdiq në spital nga hemorragjia e pandërprerë pasi u sulmua me thikë në hyrje të pallatit të tij në Durrës (dyshohet për vjedhje ordinere ndaj tij), e disa ditë të tjera më parë, një tjetër djalë i ri i dha fund jetës në çaste të thella depresioni duke u hedhur nga pallati i tij në Tiranë.
Shqipëria duket vërtet e frikshme e jeta e njeriut është shndërruar në një plaçkë që hidhet poshtë pa asnjë hezitim, nëse nuk i pëlqen vetes së depresionuar, hajdutit të rrugës apo armikut personal të interesave. Ngjarjet e javës së fundit janë tronditëse për njerëzit e mbingarkuar nga vdekje, vrasje, aksidente, përdhunime, goditje e asgjësime që në fillim të gushtit e deri tani. Përveç faktorëve meteorologjikë, që me këmbëngulje po punojnë në kah të kundërt këtë vit, është e udhës të shihen edhe arsye apo shkaqe të tjera që lidhen me shkallën e lartë të krimeve dhe atë shpërfillësen të ndëshkimeve për një vend si Shqipëria, ku duket se vdekja është ulur këmbëkryq.
Ekspertë të kriminalistikës thonë se shkaqet dhe faktorët që ndikojnë në nivelin e krimeve nuk kanë renditje, kush është në krye e kush më poshtë, e madje, edhe brenda të njëjtit vend, niveli ndryshon në kohë të ndryshme (në varësi të situatës që kalon vendi).  Për krimet ordinere, varfëria dhe gjendja social-ekonomike përmenden si faktorët kryesorë që i detyrojnë njerëzit të ndërmarrin veprime që shkojnë përtej logjikës së tyre humane e të marrin jetën e tjetërkujt. Niveli i varfërisë cilësohet, madje, edhe si përcaktues në mënyrën e bërjes së krimit. Në vendet me varfëri ekstreme, krimet nuk janë gjakftohta, por të dhunshme. Këto të fundit bëhen për arsye banale, si vjedhja, kurse të parat janë të sofistikuara, si pjesë e krimit të organizuar, që përfshin drogën, prostitucionin, trafikimin e armëve apo të tjera rrjetëzime që nuk kanë këllqe të drejtohen nga ata që vuajnë nga varfëria.  Shqipëria është vend me tranzicion të stërzgjatur, ama për ndryshime është në vendnumëro që prej 1992-shit dhe progresi vijon mbi ndryshimet e bëra në shpejtësi e sipër në periudhën e shkurtër 1991-1992. Një studim britanik mbi nivelin e krimeve pas rënies së sistemit komunist në Rusi, tregon se ndryshimet e shpejta shoqërore të bëra pas rënies së komunizmit sollën me vete një rritje në krimet e bëra nga njerëz të dalë nga regjimi i rreptë totalitar, që e gjeti të papërgatitur për pasojat e rënies moralin e shoqërisë së transformuar ruse. Shqipëria nuk është shumë ndryshe. Madje, rrënjët e komunizmit i kemi akoma fryte, e jo rrënjë.
Pikërisht për shkak të mënyrës se si është mbajtur, izoluar apo trajtuar një shoqëri, ajo humbet aftësinë për të reaguar jo ndaj krimeve, por ndaj njerëzve që i kryejnë ato. Sipas të njëjtit studim përmendur më sipër, shoqëri si kjo e jona, të manipuluara e abuzuara qëkur nuk mbahet më mend se kur (turq, italianë, gjermanë, komunistë, prapë komunistë e akoma komunistë), nuk e kanë më shumë të fortë sensin e së drejtës dhe së gabuarës. Me rritjen drastike të krimeve, mënyrës se si kryhen dhe njerëzit që vihen në shënjestër, është e vështirë të mohosh se kultura jonë tani nuk është më në gjendje të dallojë apo të ndëshkojë krimet ekstreme. Ata që organizojnë krimet, sigurisht, mendojnë se kanë bërë vetëm atë që duhej bërë, por fatkeqësia është se edhe ata që detyrohen të jenë spektatorë të krimit, nuk dinë të mendojnë ndryshe. Kjo ka lidhje edhe me nivelin e lartë të tolerancës ndaj krimit që ka shoqëria (se drejtësia nuk dimë më në është vetë viktimë, vegël, mekanizëm apo çfarë). Jo thjesht në nivelet e vrasjes së gjyqtarit, por edhe në atë të vrasjes së volejbollistit, toleranca ndaj krimit i kapërcen të gjitha imagjinatat. Teksa djaloshi i ri durrsak goditej për vdekje me thikë, ata të paktë njerëz që dëgjonin rënkimet e tij i ngulnin më fort këmbët pas dyshemeve të shtëpisë apo lokalit nga ku shihnin ngjarjen. Askush nuk u përpoq të thërriste ambulancën, policinë apo njerëzit përreth, që agresorët të merrnin sinjal se po vëzhgoheshin dhe se vrasja që po bënin nuk tolerohej nga popullata. Por jo, sinjali që marrin këta vrasës ordinerë e ata më të sofistikuarit është mefshtësia reaguese e shoqërisë, që i lejon ata të ndjehen protagonistë. Pavarësisht nivelit të zhvillimit, në çdo shoqëri, veç të tjerash, gjen përfaqësues të shtresave të ulëta, të mesme e atyre kriminale. Këto të fundit i marrin kontingjentet nga dy klasat e para, e urdhrat nga klasat e papërmendura. Nëse zinxhiri organizim-ekzekutim funksionon mirë, atëherë edhe ai çoroditje-vrasje në nivelin ordiner, funksionon po aq mirë. Po ç’mund ta ulë nivelin e krimeve? Një sistem i fortë drejtësie dhe policia. D.m.th., nuk bëhet fjalë për Shqipërinë. Edhe respektimi i fortë i ligjit, duke nisur që nga ata që e hartojnë. Pra, akoma s’jemi te Shqipëria. Ndëshkimet e rrepta ligjore për vrasësit gjithashtu e ulin ndjeshëm nivelin e krimeve. Por, në Shqipëri vrasësit ngelen anonimë, e nuk e kanë kurrë fatin e mirë të përballen me ftohtësinë e hekurave.
Ata që me kriminalistikën ndërtojnë jetën, thonë se ndikuesja më e madhe e nivelit të krimeve është politika, mënyra se si operon dhe si zotërohet ajo. Në vendet ku politika dhe biznesi kanë perceptim të lartë për lidhje me korrupsionin apo imoralitetin social, krimi lulëzon edhe në mes të ditës. Fundi i tij vjen vetëm kur ujitësit kanë nivel të lartë integriteti personal dhe humanizëm biologjik. E këto duken akoma shumë të largëta për Shqipërinë.

© Panorama.al

Te lidhura