
Kryebashkiaku Basha prezantoi investimet e parashikuara për vitin që vjen në njësitë vendore 8 dhe 9 në Tiranë. Gjatë një takimi me banorë të këtyre njësive, Basha premtoi investime, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, ndërhyrje këto që do të shtrihen në të gjithë kryeqytetin, por edhe në ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave dhe qendrave sociale. Në Njësinë Nr.8, tha Basha, janë parashikuar ndërhyrje në arterie të rëndësishme të Tiranës, zgjerim trotuaresh dhe shtim të hapësirave të gjelbërta. Në Njësinë Bashkiake Nr.8 në programin e menaxhimit të rrugëve dhe transportit publik, parashikohet ndërtimi i segmentit nga fillimi i rrugës “Mahmut Fortuzi”, në ndërprerje me unazën, Rrugën e Dibrës, trotuaret dhe ndriçimin, rrugën “Gjon Buzuku”, “Xhemal Tafaj”, “Pandi Stillo”. “Po kështu kemi planifikuar sistemimin e infrastrukturës dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme të bllokut të kufizuar nga Rruga e Dibrës, Rruga Bardhyl dhe rruga ‘4 dëshmorët’”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Sipas tij do të bëhet rikostruksioni i kopshtit 35, ndërtimi i një shkolle të mesme, si dhe rikualifikimi urban i bllokut 34/1 dhe sheshit pranë Medresës me një sipërfaqe prej 2.3 hektarësh. “Këtu nuk është përfshirë, blloku tek ish-Uzina Dinamo një investim me një vlerë afro 3 milionë euro për të cilin bashkia ka aplikuar për fonde në Komisionin Europian”, tha Basha. Ndërhyrje në segmente rrugore, si dhe në blloqet e banimit do të ketë edhe në Njësinë Nr 9. Basha tha se është menduar që të bëhen investime në 3 blloqe banimi. “Parashkohet ndërtimi i segmentit të kryqëzimit ish-kombinati “Josif Pashko”, ish-uzina Dinamo e Re, ndërtimi i rrugës që lidh rrugën “Don Bosko” me Rrugën Egnatia“, theksoi Basha. Sipas tij do të ketë rikonstruksion të plotë të shkollës “Hasan Vogli”, ndërtimi i një shkolle 9-vjeçare te ish-Parku i Autobusëve, riskonstruksion si dhe shpronësimet për rrugën “Uranit Pano” dhe “Bardhok Biba”. Ndërkohë që do të rikualifikohen nga pikëpamja urbane 3 blloqe: blloku 2 dhe 6 me sipërfaqe 4.7 hektarësh, blloku 53 dhe blloku “Mine Peza” për fazën e dytë që po kryhet me Bashkinë e Barcelonës” tha Basha. Kryebashkiaku i ka njohur banorët edhe me investimet strategjike, nga të cilat përfitojnë këto dy njësi, bulevardi i Tiranës, si dhe ndërtimi i tramit.











