
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zgjidhet kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Në Asamblenë Zgjedhore të mbajtur dje, Basha e vuri theksin në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes të zgjedhurve vendorë, duke theksuar se interesi i përbashkët i të gjithë kryetarëve të bashkive është qytetari. “Pavarësisht në siglën e cilës parti kemi kandiduar e fituar, qoftë në siglën e maxhorancës apo opozitës, sepse synimi është dhe mbetet i njëjtë, t’u shërbejmë sa më mirë qytetarëve tanë. Puna jonë nuk është fare e lehtë, madje është shumë e vështirë. Problemet me të cilat ndeshemi janë nga më të ndryshmet, prandaj duke lënë mënjanë ndasitë politike, të paktën në këtë forum, duke u bashkuar tek ajo që ne e dimë se na bashkon, dëshira për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve, le ta shndërrojmë këtë kuvend në një instrument eficient”, tha Basha.
Ai shprehu vendosmërinë e tij për të bashkëpunuar me të gjithë të zgjedhurit vendorë, pavarësisht se cilën forcë politike përfaqësojnë. I mandatar tashmë si kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të bashkëpunojnë dhe të marrin vendet që u takojnë, atë të nënkryetarit të Shoqatës, si dhe gjysmës së anëtarëve të kryesisë, ndërsa u shpreh i bindur se së bashku, edhe me ndihmën e partnerëve, shoqata do të funksionojë në parametrat më të mirë të pjesëmarrjes së të gjithë të zgjedhurve vendorë. “Dua t’ju garantoj se me zgjedhjen time në krye të kësaj shoqate, jo vetëm që nuk ndryshon asgjë nga pala e bashkëpunimit, dialogut, të cilat unë i kam shpallur si parime të mirëqeverisjes në Tiranë, por përkundrazi, duke u bashkuar të gjithë bashkë për mirëmenaxhimin e problemeve tona të përbashkëta, jam i sigurt që do të arrijmë që qytetarëve t’u japim siguri dhe besimin”, tha Basha.











