Basha, vizitë zyrtare në Uashington

Jan 27, 2012 | 13:17

Kryebashkiaku Basha dhe ambasadori amerikan, Arvizu

Diskutohet axhenda në takimin me ambasadorin e SHBA, Arvizu. Bashkia: Ftesa, nga homologu i SHBA

Takime me kryebashkiakun amerikan dhe përfaqësues të biznesit

Kryebashkiaku Lulzim Basha do të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Uashington. Burime nga Bashkia e Tiranës sqaruan për gazetën se nuk ka përfunduar ende detajimi i plotë i axhendës së kësaj vizite, por gjatë tri ditëve të qëndrimit të tij atje janë planifikuar një sërë takimesh. Veç homologut të tij amerikan, Basha pritet të takojë edhe përfaqësues të biznesit. Kjo është vizita e parë e një kryebashkiaku shqiptar në SHBA vetëm gjashtë muaj pas marrjes së postit. Detaje të kësaj vizite, nga sa pohuan burime zyrtare nga Bashkia, janë diskutuar edhe me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu. Për më shumë se 30 minuta ai zhvilloi dje një takim me kryebashkiakun Lulzim Basha. Në përfundim të takimit, kryebashkiaku Basha e ka shoqëruar ambasadorin Arvizu deri jashtë ambienteve të Bashkisë. I pyetur se çfarë kishte biseduar me zotin Basha, ambasadori Arvizu u shpreh se takimi kishte të bënte me vizitën e ardhshme të zotit Basha në SHBA.
Në frymën e shtrirjes së bashkëpunimit me bashkitë e kryeqyteteve të ndryshme të botës dhe shkëmbimit të eksperiencave, vetëm pak ditë më parë Basha realizoi një vizitë zyrtare në Romë me ftesë të kryebashkiakut italian. Nga sa na konfirmuan burimet brenda Bashkisë, në axhendën e ardhshme të Bashës janë planifikuar një sërë vizitash edhe në vende të tjera. Ndërkaq, në fokus të politikave që po zbaton ky institucion mbetet nxitja e investitorëve të huaj për t’u bërë pjesë e projekteve strategjike për të zhvilluar Tiranën. Nga takimet e deritanishme vëmendja e ndërkombëtarëve është rritur ndaj metropolit shqiptar dhe është ofruar ndihmë dhe ekspertizë jo vetëm nga bashkitë, por edhe nga përfaqësuesit e biznesit. ”Filozofia jonë është filozofia e bashkëpunimit për t’i dhënë metropolit pamjen që meriton dhe qytetarëve të tij Tiranën e integrimit”, ka deklaruar Basha pak kohë më parë.

Asamble e njësive vendore për 100-vjetorin e pavarësisë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në një takim kryetarin e Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti. Në këtë takim lidhur me idenë e lançuar prej tij më 17 janar në Shkup për  zhvillimin e një asambleje të të gjitha njësive vendore të udhëhequr nga drejtues shqiptarë kudo ku ndodhen, në hapësirat, trojet tona stërgjyshërore apo jashtë tyre. Kjo ide e zotit Basha ka gjetur mbështetjen e kryetarit të Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti. Basha bëri të ditur se për këtë ide ka gjetur me herët edhe mbështetjen e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Qëllimi i kësaj asambleje në 100-vjetorin e pavarësisë, sipas Bashës, ka si qëllim që përvjetori të kthehet në një impuls energjie, frymëzimi për të bashkërenduar punën midis gjithë hapësirave ku jetojnë shqiptarët dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën e artit, kulturës, sporteve, turizmit. Në bashkëbisedimin mes zotit Basha dhe Bexhetit u nënvizua nevoja e vendosjes së një bashkëpunimi mes dy administratave, bizneseve dhe qytetarëve të Tiranës dhe Tetovës.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura