Basha: Të shqyrtohen votat e kontestuara

May 16, 2011 | 10:29
Lulzim Basha dje gjatë konferencës për shtyp

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i kërkoi dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë çdo votë të kontestuar gjatë procesit të numërimit.Në një konferencë për shtyp, Basha tha se çdo votë duhet të ketë shansin që të shkojë për kandidatin që ka kërkuar. “Unë do t’i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë çdo votë të kontestuar, pa përjashtim dhe pavarësisht se cilin kandidat favorizon. Sepse çdo vote duhet t’i jepet mundësia të numërohet dhe zërit të çdo qytetari duhet t’i jepet mundësia të dëgjohet. Gjatë këtij procesi, unë mund të fitoj ose humbas vota, por padyshim Tirana do të ketë fituar”, tha Basha. Ai u shpreh më tej se gjatë numërimit të votave për Këshillin Bashkiak për krerët e njësive vendore, janë konstatuar fletë për kryetarin e Bashkisë, të cilat duhet të vlerësohen. “Është evidentuar tashmë gjatë numërimit të votave për këshillat bashkiake apo kandidatin për njësinë bashkiake, se disa qytetarë kanë hedhur votën e tyre 100 % të vlefshme ose për mua, ose për zotin Rama, por e kanë hedhur atë aksidentalisht në kutitë e këshillave apo kandidatit për minibashkinë. Qëllimi i këtyre qytetarëve për të votuar, për mua ose për z. Rama, është krejt i qartë. Dhe nuk ka asnjë dyshim që këta qytetarë që ushtruan të drejtën e tyre të votës, meritojnë plotësisht që vota e tyre të konsiderohet dhe zëri i tyre të dëgjohet. Aktualisht, nuk e dimë numrin total të votuesve që kanë votuar në këtë mënyrë dhe as cilin nga kandidatët favorizon vota e tyre, sepse ka ende shumë kuti të pahapura dhe të panumëruara. Por, në respekt të vullnetit të qytetareve, unë do të kërkoj që këto vota të konsiderohen. Asnjë qytetari që ushtroi të drejtën e tij për të votuar nuk i duhet mohuar vota e tij”, shtoi Basha. Kandidati tha më tej se cilido që të jetë verdikti, ai do ta pranojë, por kërkoi që çdo votë në këtë proces të respektohet, pavarësisht se kush e fiton këtë garë. “Siç kam thënë para dhe pas 8 majit, cilido të jetë verdikti final i votuesve, unë do ta pranoj atë. Ndonëse besoj se nëse dëgjohen zërat e gjithë qytetareve, unë do të jem kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, kjo nuk behet për të nxjerrë rezultatin e drejtë për Lulzim Bashën apo për z.Rama. Kjo bëhet për të dëgjuar zërin e çdo zgjedhësi dhe për të nxjerrë rezultatin e drejtë për Tiranën. Të gjithë ne duhet të kërkojmë që çdo votë e vlefshme të numërohet dhe, kur procesi të përfundojë, duhet të respektojmë fituesin e këtyre zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente”, deklaroi Basha në konferencën për shtyp.

Komisionerët

Kandidati Basha falënderoi dje në mënyrë të veçantë të gjithë komisionerët dhe numëruesit për punën e tyre. “Dua ta nis duke falënderuar edhe njëherë çdo komisioner, numërues dhe vëzhgues, të cilët ndihmuan për gjatë gjithë këtij procesi dhe shume prej të cilëve vazhdojnë punën duke përfshirë finalizimin e tabelave dhe konfirmimin e saktësisë se rezultateve në garën për kryebashkiak. E di se ka një dëshirë për një rezultat përfundimtar, por kjo nuk mund të cenojë parimin që numërimi i çdo vote të jetë i saktë dhe të reflektojë vlerat e demokracisë”, tha Basha.

Procesi

Basha foli dje në konferencën për shtyp edhe për rëndësinë e garës në kryeqytet, duke shtuar se ajo i dha vlerë qytetarëve të Tiranës dhe demokracisë. “Unë kam thëne që në fillim të procesit të numërimit, sikur kryesoja garën ashtu dhe kur nuk kryesoja, se të gjitha votat duhet të numërohen saktësisht, me ndershmëri dhe në mënyrë të barabartë dhe se zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet në mënyrë të barabartë. Aq më shumë që kjo garë është kaq e ngushtë, të gjithë kandidatet dhe partitë duhet të respektojnë zërin e çdo qytetari”, tha Basha.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura