Basha: Synojmë një Tiranë miqësore ndaj biznesit

Nov 11, 2011 | 9:56

TIRANË- Kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë një takimi me biznesmenë amerikanë në bashki ka siguruar se do të bëhet gjithçka për shndërrimin e Tiranës në një qytet sa më miqësor ndaj biznesit.

Ai ka informuar vizitorët për gjithë masat e marra deri më tani, që nga lehtësimi për procedurat e licencimit me sportelin e vetëm, por edhe për eliminimin e një sërë licencash dhe kthimin e tyre në vetëdeklarime.

“Kemi marrë masa për ta bërë jetën ekonomike në këtë qytet më të mirë për biznesin për ta kthyer Shqipërinë në një vend tërheqës për biznesin. Muajin e kaluar kemi marrë miratimin për të eliminuar disa tarifa, një listë prej 23 tarifash, pjesa më e madhe e taksave janë reduktuar. Kjo ka qëllim për ta bërë Tiranën më miqësore për bizneset”- tha Basha.

Sipas tij, shumë shpejt do të nxiten dy nisma së pari, bizneset e vogla dhe të mesme të cilat punësojnë 15 ose më shumë punonjës dhe tjetra për kompanitë më të mëdha, do shikojmë skema për rimbushim të pjesshëm të taksave, duke pasur parasysh se do të ketë një punësim të lartë.

“Besojmë se zhvillimi ekonomik për t’i krijuar mundësi biznesit është nga shërbimet më të mira që bashkia mund të ofrojë, përveç punimeve në infrastrukturë”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura