
Stacioni i ri i Trenit të Tiranës do të transferohet në Kashar. Investimi do të nisë vitin që vjen në një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorësh. Unaza e re do të fillojë gjithashtu në 2012, duke u shtrirë nga kompleksi “Kristal” në afërsi të Shkollës Teknologjike. Po kështu, linja e Tramit, Laprakë- sheshi “Nënë Tereza” është një tjetër projekt që do të marrë jetë, e veç tij është parashikuar rehabilitimi i lumit të Tiranës. Gjithçka e bëri me dije dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, gjatë vijimit të konsultave për buxhetin e vitit që vjen në Njësinë Bashkiake Nr 11. Kryebashkiaku nënvizoi edhe në këtë takim filozofinë e re të instaluar prej tij në Bashkinë e Tiranës, “shkurtim shpenzimesh dhe rritje shërbimesh”. Sipas Bashës, Njësia Bashkiake 11 përfiton investime në buxhetin e vitit 2012 sa në 10 vitet e fundit të marra së bashku. Projektbuxheti i Bashkisë për vitin 2012 parashikon rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizime, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash, kopshtesh e çerdhesh, ndërtimin e një qendre sociale, duke kthyer kështu vëmendjen e Bashkisë edhe ndaj kësaj njësie bashkiake. “Për këtë njësi bashkiake ne kemi planifikuar vitin e ardhshëm fonde të mjaftueshme të ndërtimit të Unazës në Kodër-Kamëz, me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e rrugës që lidh rrugën “Don Bosko” me Rrugën Egnatia, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në Bregun e Lumit”, tha Basha dje gjatë takimit me qytetarët. Po kështu, në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar rikonstruksioni i dy kopshteve, në rrugën “Gjergj Legisi” dhe në Kodër-Kamëz, gjithashtu do të bëhet instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit, objekt që është në vazhdim. “Do të ndërtohet një komponent shtesë në shkollën “Isa Boletini” dhe do të ndërtohet tërësisht shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi”. Do të investohet në parametra europiane në çerdhet nr 11 dhe numër 30, si dhe ka nisur puna për ndërtimin e qendrës sociale këtu në Laprakë, si një pjesë e angazhim tonë për të pasur 6 qendra të tilla deri në qershorin e vitit të ardhshëm”, tha Basha. Sipas tij, banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 11 janë përfituesit kryesore të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, siç është ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbanë dhe interurbanë. Kjo do të mundësojë edhe zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetësues për banorët e Laprakës.
Investimet për Njësinë 11
. Ndërtimi i unazës Kodër-Kamëz, 1300 metra. Ndërtimi i rrugës që lidh “Don Bosko” me Rrugën Egnatia
. Rehabilitimi i bllokut mbi shinat
. Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në
kufi me komunën e Paskuqanit dhe në Bregun e Lumit. Rikonstruksioni i dy kopshteve:
. Në rrugën “Gjergj Legisi” dhe në Kodër-Kamëz
. Do të ndërtohet shtesë në shkollën “Isa Boletini”
. Do ndërtohet tërësisht shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi”.
. Ndërtimi i qendrës sociale në Laprakë
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











