Basha: Punësimi i grave, prioritet

May 2, 2011 | 12:27

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, tha dje se do t’u përkushtohet kujdes grave kryefamiljare.Gjatë një takimi me gra në tregun çam, Basha u tregoi atyre strategjinë e tij për t’i integruar sa më mirë në jetën ekonomike të vendit, duke u krijuar lehtësira në ushtrimin e profesioneve, por dhe biznesit.
Kandidati demokrat parashikon që në bashkëpunim me biznesin të krijojë kushte për trajnimin e grave, mbështetje për hapjen e bizneseve prej tyre etj. “Unë do të marr përgjegjësi të plota për platformën e punësimit, si objektivi numër 1 në krye të Bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshme. Unë kam vendosur që duke filluar nga vera 2012 të rikthej shkollat dhe kopshtet verore, për të ndihmuar sadopak kauzën e grave në marrëdhënie pune”, u shpreh Basha, gjatë një takimi me një përfaqësi të grave. Mbështetje të veçantë Lulzim Basha parashikon edhe për gratë kryefamiljare, për punësimin, strehimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre. Punësimi i nënave kryefamiljare që nuk janë në marrëdhënie pune, do të jetë pririoritet absolut në politikat e punësimit të bashkisë. Një zyrë e veçantë drejtpërdrejt nën përgjegjësinë time do të angazhohet për punësimin e çdo nëne kryefamiljare, që nuk është në marrëdhënie pune. Dhe këtë do ta bëjmë, jo vetëm në sektorin publik, por dhe në sektorin privat. Ne do të punësojmë aty ku ka nevojë. Do të mundësojmë kredi me interes 0 për strehim, dhe aty ku keni marrë tashmë kredi, do të shikojmë mekanizmat që edhe aty, këto kredi t’i kthejmë me interesa sa më të ulëta për strehimin. Duke filluar nga viti i ardhshëm, do të ketë një fond special bursash të universiteteve private dhe publike dhe ju siguroj që asnjë fëmijë i nënave kryefamiljare nuk do të privohet nga e drejta e studimit”, siguroi Basha. Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës mori dje mbështetje nga artistët e vendit. “Sot mora dy ftesa, njëra ishte imja dhe tjetra shkruante aty, Agim Krajka. E mora në telefon dhe i thashë “Agim, në Akademinë e Arteve, Lulzim Basha do të ketë takim” “Kur?”-tha. “Të shtunën?” “Mos,- tha,- se të shtunën kam mësim në Universitet në orën 1.” “Po si do t’ia bësh?” “Do ta lë mësimin” – u shpreh Bujar Kapexhiu. “U ktheva në kohë shumë vite përpara, kur nxënësi Lulzim Basha linte mësimin dhe shkonte të dëgjonte këngët e Agim Krajkës. Kurse sot, Agim Krajka lë mësimin për të dëgjuar fjalimet e Lul Bashës. Pra, ky është respekti për brezat, ky është respekti për të shquarin dhe kemi nevojë për dashuri, për njëri-tjetrin, ashtu siç kemi nevojën e një dashuri të madhe për qytetin”, u shpreh Bujar Kapexhiu, gjatë një takimi që Lulzim Basha kishte me artistët në Akademinë e Arteve.

“Do t’u heq taksën e gjelbërimit dhe tabelës tregtarëve”

Duke takuar tregtarë të tregun çam, Basha tha se parashikon krijimin e një marrëdhënieje të re mes Bashkisë, qytetarëve dhe bizneseve. Pasi është njohur me problematikën e madhe të tregut çam, që nga taksat e larta, infrastruktura rrugore dhe mungesa e pastrimit, Basha deklaroi se pas 8 majit do t’i jepet fund praktikës së vjeljes së taksave nga Bashkia, pa ofruar shërbime. “Këto rrugët këtu, mos më fol fare. Lekë japim pa fund, por nuk ka ardhur asnjë njeri për të pyetur. Taksë pastrimi paguajmë, por as ka ardhur njeri për të fshirë. Vetë e fshijmë përditë. Jemi në mes të Tiranës, po nuk u pastrua dhe këtu… Ai na thotë që është treg informal. Po paguaj taksa, por ai nuk do t’ia dijë fare”, iu ankua Bashës një tjetër tregtar. “Taksa e tabelës është e jashtëzakonshme, duhet të mbyllësh dyqanin. Është më e lartë se taksa e biznesit. Një metër shkon diku tek 450 mijë lekë”, tha një tregtar tjetër. “Paguajmë 1 milion e 200 mijë lekë taksë tabele, taksë pastrimi e taksë gjelbërimi. Po i paguajmë, por të paktën të përgjigjet për këto gjëra që ai më detyrohet mua. Vetë po pastrojmë dhe po rregullojmë”, tha një tregtar. “Ka 12 vjet po e njëjta rrugë. Vijmë këtu me këpucë të lustruara dhe, kur dalim, marrim letra me vete për t’i pastruar. Të paktën këto më elementaret po kërkojmë. Me taksat tona të rregullohet kjo rrugë”, shtoi një tjetër tregtar i tregut çam. Pasi dëgjoi këto ankesa, Lulzim Basha u shpreh se “Do të heq një pjesë të mirë të taksave, taksën e gjelbërimit dhe taksën e tabelës – si dhe do të ul 3 herë taksën e pastrimit. Dhe për çdo taksë që do të merret, do të jepet shërbimi. Duhet të fillojmë një marrëdhënie të re midis Bashkisë dhe qytetarëve, midis Bashkisë dhe bizneseve. Një marrëdhënie me respekt të ndërsjellë, një marrëdhënie transparente dhe për taksat që mbeten, duhet të ofrojmë shërbime”.

“Premtimet, jo parulla elektorale”

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” për këshilltarë të Bashkisë dhe njësive bashkiake. Në këtë takim, Basha shprehu vendosmërinë e tij për t’i bërë qytetarët pjesë të vendimmarrjes së Bashkisë së Tiranës. “Kush mendon se kanë qenë parulla elektorale formulat e propozuara të angazhimit qytetar, nga takimet e përditshme dhe të përjavshme deri tek referendumi lokal, e ka gabim. Unë jam i vendosur për Unazën e Madhe, unë jam i vendosur për tramvajin, unë jam i vendosur ta bëj punësimin së bashku me ju, numrin një të axhendës – por për asgjë nuk jam më i vendosur sesa të kthejmë përfundimisht faqen e të bërit politika vendore në qytetin e Tiranës. Duke mbështetur këtë axhendë të fuqishme, është roli juaj të bëni kontrollin e plotë legjislativ të aktivitetit dhe të plan-veprimit, si e vetmja mënyrë për të garantuar realizimin e objektivave tona që janë ambicioze e të vështira, por janë plotësisht të mundshme”, u shpreh Basha.

Mediu: PS nuk po del nga interesat e ngushtë

Partia Republikane zhvilloi një takim elektoral në Bashkinë e Rrëshenit, në mbështetje të kandidatit për kryetar Bashkie të “Aleancës për Qytetarin”. Në këtë takim, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tha se “8 maji ndan dy rrugë: rrugën e shpifjes, mallkimit dhe akuzave, si dhe rrugen e së ardhmes europiane, e cila ne qendër ka individin dhe mirëqënien e tij”. “Jemi këtu për flamurin tonë, i cili ka zënë tashmë vend ndërmjet flamurit të BE-së dhe NATO-s. Duke na bërë të përgjegjshëm për të menduar për të gjithë ata, që ranë në emër të tij, dhe për të gjithë ata që në vitet që vijnë, do përulen me respekt dhe krenari përpara tij, përpara flamurit të NATO-s dhe BE-së. Nëse kthejmë kokën pas, vërejmë se opozita shpeshherë nuk arriti të dalë mbi interesat e saj të ngushtë politikë, duke mos arritur t’i bashkohet vizionit dhe angazhimit tonë për një Shqipëri europiane, e aq më keq duke krijuar pengesa në rrugën tonë, e duke hedhur poshtë dhe përbaltur punën dhe kontributin e mijëra socialistëve, të cilët kanë të njëjtin qëllim si të gjithe ne”, u shpreh Mediu.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura