Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, kërkoi respektimin e procesit ligjor për shpallen e rezultatit në Tiranë. Basha bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se duhet të ndiqet rruga e institucioneve dhe ligjit, jo e revoltave. Sipas tij, kandidati rival, Edi Rama, nuk po respekton ligjin. “Kandidati tjetër ka vendosur të mos e respektojë këtë proces. Dhe në vend që të ndjekë rendin ligjor, preferon të ndjekë rregullat e rrugës. Ai ka vendosur më mirë të akuzojë si të manipuluar një proces transparent që po shpaloset para syve të mbarë botës, sesa të pranojë se ai nuk dëshiron të numërohet çdo votë, sepse kështu edhe mund të humbasë. Një proces transparent, i drejtë dhe i saktë, i cili mundëson numërimin e çdo vote, u siguron qytetarëve të drejtën që zëri i tyre të dëgjohet, zë i cili duhet të respektohet nga të gjitha palët. Çdo përpjekje për të mos lejuar që ky zë të dëgjohet, përbën një përpjekje për t’u mohuar qytetarëve demokracinë”, tha Basha. Sipas tij, numërimi i çdo vote nuk përbën manipulim, siç po pretendohet. “Z. Rama tha sot se po të kishte humbur me një votë, do ta kishte pranuar atë. Më ndjeni, por më duhet t’ju rikujtoj se ai nuk gëzon as besueshmërinë më të vogël për këtë. E kam thënë dhe e them vazhdimisht se në fund të këtij procesi, kur të gjitha votat të jenë numëruar, unë do të pranoj cilindo verdikt përfundimtar të votuesve”, tha Basha.
Berisha: Pasoja të rënda, nëse cenohet KQZ
Kryeministri Sali Berisha reagoi nga mbledhja e qeverisë në lidhje me situatën e krijuar në KQZ. Berisha u shpreh se nëse cenohet puna e këtij institucioni, pasojat do të jenë të rënda. “Unë e ftoj t’i largojë njerëzit nga rrethimi, të mos rrethojë një institucion të pavarur, sepse ky është një akt shumë, shumë i rëndë. Të mos i kërcënojë njerëzit në detyrë. Pasojat do të jenë jashtëzakonisht të rënda në qoftë se cenohet puna e KQZ-së. KQZ është një komision i zgjedhur me vota unanime, me konsensus. Në këtë moment nuk janë Kryeministri, as kryetari i opozitës njerëzit më kryesorë. Njerëzit më kryesorë janë ata që po bëjnë detyrën. Aty rreh zemra e kombit, zemra e lirisë së kombit. Ndaj unë e ftoj të rishqyrtojë qëndrimin e tij, pasi absolutisht çdo votë do të numërohet me transparencën më të madhe. Por, në rast se dikush na thotë të mos numërohet, në mënyrë absolute çdo votë do të numërohet. Kjo nuk do të ketë asnjë ekuivok”, tha Berisha.











