Zyrtarisht Tirana është në festë. Dje në mbrëmje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga vajza e tij Dafina dhe dhjetëra fëmijë të kryeqytetit ndezën dritat e pemës së madhe prej 14 metrash, vendosur në sheshin “Skënderbej”, duke i hapur rrugë festimeve për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Nën tingujt e muzikës festive të korit të Liceut Artistik, është ndezur i gjithë dekori i vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke sjellë edhe në Tiranë atmosferën festive të festave të fundvitit. Kryebashkiaku Basha garantoi se kjo atmosferë do të shtrihet në të gjithë qytetin. Basha tha se krahas dekorit festiv, janë parashikuar edhe një sërë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat që do të na shoqërojnë deri në natën e madhe të ndërrimit të viteve. Përveç aktiviteteve, Basha tha se nuk do të mungojnë edhe dhuratat, veçanërisht për vogëlushët në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzuara për ta.
“Sot ne ndezim bredhin festiv të fundvitit dhe dritat në rrugët kryesore të qytetit tonë, sepse po vjen Viti i Ri. Festat e fundvitit na bashkojnë ne të gjithëve çdo vit. Edhe këtë vit, ne në qytetin e Tiranës do të zhvillojmë shumë aktivitete që çdo fëmijë ta ndiejë sadopak përpjekjen modeste të Bashkisë së Tiranës, qytetit të Tiranës, qytetarëve të Tiranës, për të pasur festa sa më të lumtura”, tha Basha. Sipas tij është gati programi festiv, i cili pas ndezjes së dritave do të vijojë me koncerte të vogla e të mëdha. “Do të kemi shumë babagjyshër të Vitit të Ri, të cilët do të shpërndajnë dhurata anembanë kopshteve e çerdheve dhe shkollave të qytetit tonë për të gjithë fëmijët. Për të gjithë të rriturit kemi organizuar aktivitete të tjera artistike social-kulturore, që fryma e festave të fundvitit të ndihet anembanë qytetit tonë. Do të fillojmë sot, por do ta vazhdojmë gjatë gjithë muajit. Do t’u urojmë të gjithë vogëlushëve të Tiranës, qytetarëve të Tiranës dhe gjithë qytetarëve anembanë Shqipërisë, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri”, tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, së bashku me bashkëshorten Aurela dhe vajzën Dafina, kanë parë më pas edhe dekorin festiv përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Vendimi: Bashkia merr truallin për terminalin e ri
Qeveria kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës 85 000 metra katrorë truall për ndërtimin e terminalit të ri multimedial të pasagjerëve. Vendimi i Këshillit të Ministrave sanksionon se në fshatin Mëzez, ndodhur në kthesën e Kamzës, Tiranë, aktualisht në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave, kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës”. Çdo procedurë administrative e nisur dhe që ka lidhje me pronën, objekt i këtij vendimi, ndërpritet”, thuhet në vendimin e qeverisë “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”. Kjo pronë, më parë nën administrimin e Ministrisë së Transporteve, do të përdoret për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Bëhet fjalë për një projekt të Bashkisë së Tiranës, i iniciuar nga kreu i saj, Lulzim Basha. ”Vendimi nr.970, datë 30.9.2009 i Këshillit të Ministrave ‘Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Ministrisë së Financave, të një sipërfaqeje trualli në Kthesën e Kamzës, Tiranë’, shfuqizohet”, përcaktohet në vendim. Më parë e njëjta sipërfaqe trualli ishte vendosur të përdorej për ndërtimin e Doganës së re të Tiranës.











