
Që prej ditës së djeshme kompleksi sportiv “Dinamo” do të jetë funksional edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Me një investim të Bashkisë së Tiranës është bërë e mundur vendosja e sistemit të ndriçimit të këtij kompleksi. Po kështu, ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i dhomave të zhveshjes dhe dushet. Në këtë mënyrë, në kompleksin sportiv “Dinamo” mundësohet stërvitja e grupmoshave të ndryshme në çdo kohë dhe me kushte të mira. Një ndeshje e veçantë futbolli u zhvillua në orët e pasdites, që ka shënuar dhe fillimin e funksionimit të ndriçimit në kompleks. Ikonat e futbollit shqiptar të viteve ‘80-’90, si Sulejman Mema, Agustin Kola, Alban Bushi, Indrit Fortuzi, Altin Shulku, Andrea Marko, Blendi Nallbani, Ledio Pano, Krenar Alimehmeti, por edhe lojtarë të tjerë, si Mehmeti, Mersini, Tomorri, Milori, Tole, Stermasi, Stafa, Zhupa, Duro, Omuri, ka rikthyer emocionet e veçanta të futbollit shqiptar. Titullarët e ekipit kombëtar, por edhe të ekipeve të kryeqytetit Tiranës, Dinamos dhe Partizanit zbritën në fushë të ndarë në dy ekipe, të cilat drejtoheshin nga ish-trajnerët e Kombëtares, Astrit Hafizi dhe Bejkush Birçe. Skuadra e Hafizit arriti të fitonte këtë ndeshje me rezultatin 3 me 2. Supergoli i kësaj ndeshjeje ishte ai i të madhit Sulejman Mema, që shënoi dhe fitoren e ekipit të drejtuar nga Hafizi. Kupa u dorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e zotit Basha, i cili në drejtimin e Ministrisë së Brendshme nuk lejoi që ky kompleks të shkatërrohej, dhe për kontributin e angazhimin e tij për sportin në përgjithësi, ikonat e futbollit shqiptar i dhuruan topin e lojës me mbishkrimet e tyre. Zoti Basha e ka cilësuar një privilegj të veçantë këtë dhuratë dhe faktin se ndodhet mes ikonave e idhujve të tij të futbollit shqiptar, dhe shprehu angazhimin që çdo banor i Tiranës të ketë akses te sporti i preferuar. “Si çdo punë, edhe detyra ime ka vështirësitë e veta. Por jo si çdo punë, detyra ime sjell kënaqësi dhe privilegje të veçanta. Një nga këto privilegje sot është që të gjendem mes ikonave e idhujve të fëmijërisë sime, përfaqësuesve të Tiranës, Partizanit, Dinamos e Kombëtares në fushën e blertë”, tha Basha











