
Pas më shumë se një jave inspektimesh nga stafi i tij, dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, inspektoi vetë tregjet në Tiranë. Ai ishte në tregun te ish-uzina “Dinamo” për të parë nga afër çmimet e mallrave ushqimore. “Natyrisht, suksesi i deritanishëm është inkurajues, por java në të cilën po futemi është vendimtare për të parë që kjo përqasje ka dhënë sukses të plotë. Unë kam besim të plotë që me të njëjtin vetëdijesim që tregtarët këtu dhe i gjithë zinxhiri deri te grosistët kanë reaguar ndaj këtij shqetësimi legjitim të qytetarëve, do të vazhdojë dhe këtë javë dhe çmimet do të mbeten në kuadrin e çmimeve normale”, tha kryebashkiaku. Ndërkohë, Lulzim Basha ka vazhduar me konsultimet për buxhetin në Njësinë Bashkiake Nr. 6 në Tiranë. Kryetari i Bashkisë tha se pavarësisht se janë trashëguar shumë borxhe nga e kaluara, buxheti parashikon shumë investime, të cilat do të shtrihen në dy plane. Ashtu si dhe në njësitë e tjera, edhe për Njësinë Nr. 6 në Tiranë janë parashikuar ndërhyrje në rrugë, në kanalizime e ndriçim. “Një plan strategjik: investime të mëdha dhe një plan kapilar: investime që shtrihen kudo në qytet. Rikonstruksioni i rrugës ‘Fabrika e qelqit’, rikonstruksionin e rrugës ‘Hamdi Cenoimeri’ dhe rikonstruksionin e rrugës ‘Llambi Ziçishti’, kanalizimet, trotuaret dhe ndriçimi rrugor”, premtoi Basha.











