Basha jep garanci: 100 mijë euro premio me Teutën

Jan 12, 2012 | 12:42
Kryebashkiaku Basha me ekipin e Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka dhënë garanci për sa i përket anës financiare në klubin bardheblu, madje duke premtuar edhe një premio të jashtëzakonshme për ndeshjen e parë të fazës së dytë ndaj Teutës. Basha ka takuar dje në mbrëmje katër lojtarë të Tiranës: Gilman Likën, Julian Ahmatajn, Bekim Balën dhe Erion Dushkun, të cilët patën kërcënuar me largim nga skuadra gjatë merkatos së janarit për shkak të rrogave të prapambetura. Basha u ka dhënë garanci futbollistëve, duke u thënë se jo vetëm që ata do të marrin pagat e tyre, por nuk do kenë probleme as në të ardhmen te kjo skuadër. Si për të bindur këta të fundit, kryebashkiaku ka pohuar se do t’i japë një premio 100 mijë euroshe skuadrës, në rast se do të fitojnë ndeshjen ndaj Teutës, skuadër kjo që aktualisht kryeson Superioren me 5 pikë më shumë se Tirana e vendit të dytë. Nisur nga këto premtime, katër lojtarët kanë pohuar se nuk do të largohen nga skuadra, madje edhe Gilman Lika, i cili dje depozitoi në federatë kërkesën për prishje kontrate, ka theksuar se do ta tërhiqte dhe do të qëndronte te Tirana. Basha ka pohuar gjithashtu se trajnerit Rubio nuk do t’i mungojë asgjë gjatë fazës përgatitore të këtij muaji dhe klubi do tentojë të forcojë ekipin edhe me lojtarë të tjerë.

© Panorama.al

Te lidhura