Basha: Ja projektet e 2012-s për Njësinë Nr. 1

Dec 22, 2011 | 11:11

“Njësitë bashkiake që ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin do të përfitojnë më shumë fonde nga buxheti i Bashkisë”. Këtë deklaratë bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë konsultimeve me banorë të Njësisë Bashkiake Nr. 1. Basha bëri të ditur projektet që do të mbështeten nga buxheti i vitit 2012 për Njësinë Bashkiake, ku ndër të tjera përfshihet sistemi i shtratit të Lanës, ndërtimi i urës së Shkozës, ndërtimi i një shkolle dhe një çerdheje. “Do të kemi vazhdimin e sistemimit të shtratit të Lanës dhe sistemimin e rrugëve paralele, deri tek ura e Shkozës. Ndërtimi i urës së Shkozës, i cili është një premtim i imi”, tha Basha. Po kështu, është parashikuar rikonstruksioni i rrugës “Agusht Jorgjevica”, po në zonën e Shkozës, rikonstruksioni i rrugës “Pasko Hysa”, vazhdimin e rrugës “Hasan Sufa” deri te Materniteti i Ri. Në fushën e arsimit dhe kujdesit social janë përfshirë dy objekte: ndërtimi i shkollës 9-vjeçare në rrugën “Ali Demi” dhe Çerdhja Nr. 50 në rrugën ”Shemsi Aga”. Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr. 1, Lindita Nikolli, kërkoi mbështetjen për ndërtimin e një qendre komunitare në këtë njësi bashkiake, propozim i cili gjeti mbështetjen e zotit Basha. Në këtë takim, Basha bëri të ditur se në këtë buxhet do të hapet modeli i garës për fonde bashkiake, ku do të përfitojnë ato njësi që do të ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin.

© Panorama.al

Te lidhura