
“Mirënjohje bizne-seve që mbështesin atmosferën festive të Tiranës. Për të nuk është harxhuar asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë”. Këtë deklaratë bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë ceremonisë së hapjes së “Qytezës së festave të fundvitit”. Kjo qytezë, e ngritur në rrugën “Murat Toptani”, përveçse një vend argëtimi për qytetarët, është edhe një mundësi e mirë marketingu për kompanitë më të njohura që operojnë në tregun shqiptar. Kryebashkiaku tha se kjo qytezë vjen në Tiranë si përgjigje ndaj kërkesave me standard europian të qytetarëve të Tiranës. “Ky është një falënderim për përkushtimin qytetar që ka bashkuar dhjetëra biznese të Tiranës, sepse, të dashur bashkëqytetarë që mi, këtu duhet ta dini se në përgatitjet e këtij fundviti nuk është harxhuar dhe nuk do të harxhohet asnjë qindarkë taksapaguesish shqiptarë dhe gjithçka vjen me kontributin vullnetar të bizneseve të kryeqytetit tonë”, u shpreh kryebashkiaku. Ai shtoi se motivimi dhe bashkimi i tyre në këtë kontribut është shenja më e qartë e besimit që këto biznese, qytetarët që i udhëheqin ata kanë tek e ardhmja e qytetit. “Me këtë besim tek e ardhmja jonë, besojmë: tek një vit 2012 i mbarë dhe i begatë për të gjithë ne. Le të shijojmë maksimalisht festat e fundvitit. Gëzuar!”, theksoi Basha. Ai vizitoi shtëpizat ku tregtohen produkte cilësore shqiptare. Duke përshkuar rrugën pedonale, kryebashkiaku u ndal gjatë edhe në stendën e birrës “Korça”, e cila gjatë gjithë dhjetorit do të jetë e hapur për qytetarët duke ofruar birrën e zezë, atë tradicionale dhe produkte të tjera. Kryebashkiaku u interesua për produktet që ofron birra “Korça” dhe shprehu vlerësimin maksimal për cilësinë. ”Është birra më cilësore në treg”, tha kryebashkiaku. Sipas Bashës, dhjetori do të jetë një muaj i veçantë festiv për Tiranën. Ai shtoi se atmosfera do të ndihet në të gjitha lagjet e qytetit dhe askush nuk do të jetë i përjashtuar nga këto festa. Kjo atmosferë, nga sa theksoi kryebashkiaku, zbret në Tiranë falë idesë të ekzekutuar mjeshtërisht nga “Iceberg Communication” dhe nga kompania që përgatiti strehëzat festive. “Është një traditë dhe zakon i të gjitha kryeqyteteve të Europës dhe sot vjen në Tiranë si përgjigje ndaj kërkesave me standard europian të qytetarëve të Tiranës”, tha Basha.
Policia Bashkiake, aksion te Stacioni i Trenit
Polica Bashkiake, në bashkëpunim me Njësinë Bashkiake Nr. 9, nis aksionin për lirimin e hapësirave në zonën pranë Stacionit të Trenit. “Nga kërkesat e banorëve, nga ankesat e vazhdueshme po bëjmë zhbllokimin e kësaj zone, të paktën edhe të rrugës që shkon drejt ALUIZNI–t për lirimin e atij lloji tregu të sajuar mbase nga njerëzit (tavolina, ambiente për të shitur). Kjo është një punë që do vazhdojmë në Njësinë Nr. 9, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake”, tha kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 9, Indrit Fortuzi.
ZIRINA LLAMBRO











