Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve, theksoi se protesta dhe dhuna nuk ndihmojnë procesin. “Sikundër kane deklaruar, përfaqësuesja e lartë Ashton dhe ndihmës-sekretari Gordon, ky proces vazhdon dhe duhet të vazhdojë në një mënyrë të qetë dhe konstruktive, në kuadër të institucioneve ekzistuese dhe kornizës ekzistuese ligjore dhe citoj: “Retorika që kërcënon me dhune apo nënkupton dhune, nuk është rruga e duhur”. Kjo garë është shumë e ngushtë dhe veçanërisht sepse është kaq e ngushtë, duhet t’i përmbahemi ligjit dhe, për të zgjidhur mosmarrëveshjet, duhet të përdorim institucionet zgjedhore”, tha Basha. Ai shtoi se ndihet optimist nga rezultatet, ndërsa KQZ, duke vepruar si KZAZ për Tiranën, vazhdon shqyrtimin e votave të panumëruara.
Stounstrit: Të respektohen ligjet
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje kryetarin e Misionit të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit, nga ku theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe pavarësinë e institucioneve. “Partitë politike duhet të respektojnë institucionet e pavarura, pasi shteti i së drejtës, shteti demokratik forcohet nëpërmjet konsolidimit të institucioneve të pavarura, të cilat zbatojnë në çdo hap vetëm ligjin dhe Kushtetutën”, tha Topi. Sipas njoftimit zyrtar, edhe Stounstrit ndau të njëjtin mendim me Presidentin se shprehja e maturisë, e ruajtjes së qetësisë dhe zbatimit me rigorozitet i ligjeve në fuqi e Kodit Zgjedhor në veçantit.











