Basha, festë me të rinjtë para vilës së Enver Hoxhës

Dec 9, 2011 | 12:58

Qytetarët e Tiranës kanë festuar mbrëmë në zonën e ish-Bllokut Ditën e Rinisë, ditë në të cilën 21 vjet më parë studentët u ngritën kundër regjimit komunist. Pas 21 vjetësh të rinjtë janë mbledhur pranë ish-vilës së diktatorit Hoxha, ku janë argëtuar në një aktivitet festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili ka qëndruar për një kohë të gjatë me të rinjtë, i ka takuar ata dhe ka biseduar për ngjarjet e para 21 viteve. Në këtë koncert performuan në itinerare të ndryshme kohore DJ më të mirë të këtyre rrymave. Pas DJ-ve ishte një ekran i madh, i cili pasqyronte pamje nga të gjithë të pranishmit. E cilësuar si “Nata e rinisë”, pasditja e djeshme u shoqërua me një sërë aktivitetesh deri në orët e vona të natës. Pavarësisht se temperaturat ishin të ulëta, kjo nuk i pengoi organizatorët e “Natës së rinisë” të organizojnë një sfilatë me modele të mirënjohura. Në sfilitë, ku performuan edhe modele me bikini, u prezantuan tendencat më të fundit të modës rinore. Tapeti i kuq dhe dekori me lule të bardha e kthyen rrugën pedonale të ish-Bllokut në një pasarelë të vërtetë. Organizatorët kishin menduar që pas çdo performance të DJ-ve, e cila zgjaste nga 45 minuta deri në një orë, të zhvillohej një sfilatë me koleksione të ndryshme dimërore. Ndonëse ishte parashikuar që aktiviteti të mbaronte para mesnate, të rinjtë ju bashkuan lokaleve të ish-Bllokut. Ndërkohë që lokalet e ish-Bllokut kishin përgatitur festa me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare. Meqenëse dita e djeshme ishte pushim zyrtar, lokalet e ish-Bllokut u lejuan deri në orën 01:00 pas mesnatës me muzikë të lartë.

© Panorama.al

Te lidhura