
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi dje ndërtimin e një mijë apartamenteve për të pastrehët.Gjatë një takimi sipas formatit “Townhall meeting” me banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 7, Basha foli gjithashtu edhe për lehtësitë që do të kenë pensionistët dhe transparencën me të cilën do të qeverisë Tiranën. I pyetur mbi problematikën e pronësisë në kryeqytet, kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” u shpreh se Bashkia, pas 8 majit, do të bëjë të mundur dhënien e kredive të buta për çiftet e reja. “Do të nisim menjëherë nga puna duke venë territoret publike të Bashkisë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës. Do të ndërtojmë në këtë mënyrë, në partneritet me sektorin privat, në katër vitet e ardhshme, të paktën një mijë apartamente për të pastrehët. Për çiftet e reja do të kemi një fond special të garantuar nga Bashkia e Tiranës që do të bëjë të mundur kredi të zbutura”, u shpreh Basha. Ndërsa për shtresën e pensionistëve ai theksoi se, “pikësëpari do të ngre pranë çdo njësie vendore një qendër sociale për të moshuarit me kujdes të përditshëm dhe me kapacitet të përnatshëm me shtretër. Të moshuarit aty do të kenë shërbim mjekësor falas, aktivitete ndërvepruese të përditshme me njëri-tjetrin, shtyp falas dhe lehtësi të tjera. Së dyti, në qytetin e Tiranës, çdo pensionist apo pensioniste mbi moshën 65 vjeç, do të ketë transport publik falas”. Kandidati demokrat tha gjithashtu se e gjithë veprimtaria e Bashkisë së Tiranës do të jetë transparente dhe qytetarët do të kenë mundësi të japin mendimin e tyre duke filluar që nga plani urbanistik i qytetit. Gjatë ditës së djeshme Basha zhvilloi takime edhe me tregtarët në zonën e Medresesë. Shërbimet e munguara për taksat e mbledhura nga Bashkia e Tiranës është shqetësimi i të gjithë tregtarëve në kryeqytet. Përveçse u duhet të paguajnë taksa gjithnjë në rritje, tregtarët duhet të sigurojnë vetë pastrimin dhe gjelbërimin. “Duke ulur taksat e Bashkisë, që ju kushtojnë pothuajse sa një rrogë e juaja, pronarit tuaj, do të këtë më shumë para për një pagë më dinjitoze për punëtorët, po kështu më shumë para për të investuar dhe për të kryer më shumë xhiro. Unë garantoj që për mua, përveç luftës tuaj, nuk do të ketë luftë tjetër, beteja që keni ju do të jetë beteja ime. Do të përkushtohem me mish e me shpirt për ato objektiva që kam deklaruar”, tha Basha. Sipas tij, “duke filluar me punësimin që njerëzit të kenë para në xhep që të vijnë të blejnë dhe të gjenerojnë tek ju fitim, që tregu të lëvizë dhe të vendosë në lëvizje të gjithë zinxhirin. Do ta fillojmë me uljen e taksave këtë muaj, se ka hyrë maji. Nuk do të flasim për ato që kemi bërë, do të flasim për çka do të bëjmë. Tani kemi punë për të bërë në Tiranë, kemi shumë punë për të bërë dhe do të arrij gjithashtu gjëra të mira. Siç kemi arritur vizat, do të arrijmë shumë gjëra të mira për Tiranën”.
Reagimi PD
PD-ja ka akuzuar, nëpërmjet Mesila Dodës, kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për korrupsion me lejet e ndërtimit. “Pajisja me një leje apo licencë në Tiranë kërkon më shumë kohë dhe ka më shumë kosto se në çdo kryeqytet tjetër. Sipas vetë faqes së internetit të Bashkisë së Tiranës, totali i ditëve që duhen për të marrë një leje ndërtimi është mesatarisht 336 ditë, rreth dhjetë herë më shumë kohë pritje se në çdo qytet tjetër”, u shpreh deputetja demokrate.
“Tirana, kryeqytet europian i kulturës europiane pas 5 vitesh”
Pjesë e projektit të Bashës për Tiranën janë edhe arti e kultura. Për t’iu ardhur në ndihmë artistëve, Basha parashikon rritje të buxhetit të Bashkisë për artin dhe kulturën. Duke përqafuar idenë e hedhur nga artistët për ta shndërruar Tiranën në një kryeqytet europian të kulturës, Basha e ka vendosur si objektiv të punës së tij. Ashtu si për sportistët, edhe për artistët, Basha premtoi ngritjen e një fondi ekselence nga Bashkia. “Unë besoj se ka ardhur koha që ne t’i vëmë vetes objektiv që Tirana të jetë kryeqytet europian i kulturës në 5 vitet e ardhshme. Ka ardhur koha që ky qytet dhe qytetarët e tij të marrin përgjegjësitë e veta për trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore e artistike dhe autorët e saj. Unë jam i vendosur të përdor të gjitha energjitë bamirëse të këtij qyteti, por me Bashkinë në krye, që të themelojmë një fond ekselence për të siguruar dinjitetin e plotë njerëzor në çdo ditë të jetës të çdo autori, prodhuesi, të vlerave artistike e kulturore të Tiranës dhe Shqipërisë. Unë ju premtoj se fondin e ekselencës do ta bëj realitet brenda vitit 2011”, tha Basha.
“Asnjë betejë politike në Tiranë”
I ftuar në një intervistë në “ABC News”, kandidati i koalicionit të djathtë për Tiranën tha se nuk do të bëjë asnjë betejë politike në Bashki pas 8 majit. “Ka ardhur koha t’i përvishemi punës e t’i lëmë mënjanë ndasitë politike, dhe unë angazhohem që të mos bëj asnjë betejë politike në krye të Bashkisë së Tiranës dhe, së dyti, të bëj timen çdo betejë të qytetarëve të Tiranës. Sado të vogla, sado të mëdha, betejat e tyre do të jenë betejat e mia, unë do të jem 100 për qind në dispozicion të tyre çdo ditë dhe çdo natë që nga fillimi deri në fund të shërbimit tim si kryebashkiak të Tiranës”, u shpreh Basha. I pyetur nëse është bërë pishman që ka lënë postin e ministrit të Brendshëm për të kandiduar për Tiranën, Basha tha se “unë kam ëndërruar edhe kur kam qenë i vogël se si do të transferohej lagjja jonë dhe sot më jepet privilegji për të bërë diçka në këtë drejtim. Kjo më ka shtyrë jo vetëm t’i lë, por t’i lë pa asnjë keqardhje të gjitha funksionet e tjera publike që kam pasur. Natyrisht, i bindur se performanca ime ka prodhuar të mira për qytetarët në këto funksione, sot, në mbyllje të kësaj fushate, jo vetëm që nuk jam bërë pishman, por i lumturuar që kam bërë këtë zgjidhje kur shoh shpresën që është zgjuar në qytet”.
“Iniciativa për Elbasanin”, apel për të votuar Hushin
Grupimi i shoqërisë civile, “Iniciativa për Elbasanin”, ku në përbërje të tij janë intelektualë të qytetit, publikuan dje një deklaratë drejtuar qytetarëve të Elbasanit, ku bëhej thirrje për të votuar kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Durim Hushi. Zv.dekani i Shkencave Humane në Universitetin e këtij qyteti, Roland Gjini, e argumentoi këtë deklaratë si përgjegjshmëri për momentin historik në të cilin ndodhet qyteti, në sajë të nismës për të ndërtuar rrugën e re Elbasan-Tiranë. “Të bindur se shfrytëzimi maksimal i këtij shansi kërkon një bashki me vizion, të aftë dhe të ndjeshme ndaj problemeve të qytetarëve dhe një kryetar bashkie që i zotëron të gjitha këto kapacitete. Grupimi i shoqërisë civile, “Iniciativa për Elbasanin” u bën thirrje të gjithë qytetarëve elbasanas të mbështesin kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Durim Hushi, sepse ai përfaqëson vlerat e vërteta të traditës elbasanase dhe ka një vizion të qartë për ta modernizuar Elbasanin”, thuhet në deklaratën e Iniciativës. Kjo deklaratë u lexua dhe u apelua ndaj qytetarëve në emër të 16 intelektualëve të qytetit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











