Basha: Do t’i zgjas dorën për konsensus çdo këshilltari

May 3, 2011 | 10:00

Kandidati i PD për Tiranën, Lulzim Basha, dje iu përgjigj interesimit të panelit të gazetarëve rreth Tiranës së ardhshme nëse ai zgjidhjet në krye të Bashkisë.Basha ishte dje në sallën e Akademisë së Arteve, ku në prani të intelektualëve u bë promovimi i botimit të punimeve të forumit, “Iniciativa për Tiranën: ide për qytetin”.
Zoti Basha, ju përmendët projekte infrastrukturore të rëndësishme për Tiranën, si Unaza e Madhe, dhe thatë se do t’i realizonit nëpërmjet partneritetit me qeverinë. Me sa kam dëgjuar, kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm të financojë çdo projekt të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kemi një bllokim të buxhetit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. A lë të kuptohet kjo që ky është një bllokim politik?
Sa i përket çështjes së buxhetit, po, është e vërtetë që Bashkia e Tiranës, ekzekutivi i saj, ka zgjedhur që në vend që ta shtrijë dorën e konsensusit te Këshilli Bashkiak, si përfaqësuesi i konsensusit qytetar, t’i bëjë atentat këtij konsensusi dhe të veprojë në vend të një buxheti vjetor me buxhete mujore, një hapësirë që ia lejon ligji. Unë ju garantoj se konsensusi dhe ndërtimi i konsensusit do të jenë baza e veprimtarisë time administrative, qytetare, jo vetëm me qytetarët, por në radhë të parë me ata që përfaqësojnë qytetarët në punën e përditshme të Bashkisë së Tiranës, që është Këshilli Bashkiak. Unë nuk do të ngurroj t’i shtrij dorën askujt, bazuar mbi teserën që mban në xhep, apo mbi ngjyrën e partisë që përfaqëson, sepse për mua partia që përfaqëson në atë sallë të Këshillit ka shumë më pak rëndësi sesa përfaqësimi që ajo zonjë apo ai zotëri i bën interesit qytetar dhe unë do t’ua faktoj se këtë frymë konsensusi do ta shtrij edhe më gjerë, duke përfshirë në strukturat ekzekutive dhe vendimmarrëse qytetarë dukshëm nga i gjithë spektri politik i qytetit të Tiranës me një kriter të vetëm: të kenë në zemër pasionin dhe të kenë kapacitete të punojnë me performancë të lartë për qytetin e Tiranës.
Zoti Basha, keni prezantuar një plan zhvillimi për Tiranën, ku në fakt është i mirëpritur nga qytetarët e Tiranës dhe që ka shumë pika të përbashkëta me planin e zotit Rama. Ku ndahet dhe ku bashkohet plani juaj. Pse duhet që qytetarët e Tiranës t’ju votojnë?
Së pari, unë nuk thashë që në këtë garë televizionet janë të ndara. Unë thashë që llogoret politike kanë kohë që e ndajnë këtë qytet. Kësaj ndarjeje jo vetëm që nuk i ka shpëtuar, po është thelluar në fushën e medias, pra jo vetëm në këtë fushatë. Është një problem që besoj se nuk ka njeri në këtë sallë mos ta dijë dhe mos ta pranojë. Së dyti, unë në këtë fushatë vij me vizion, me një platformë me propozime konkrete, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me qytetarin, ka në qendër qytetarin dhe ngre në lartësi të politikave e të vendimmarrjes e angazhimeve të mia pikërisht këto probleme të qytetarit. Duke marrë përgjegjësi të plotë dhe pa kërkuar përgjegjës askund tjetër për veprimet e mia në të ardhmen si kryebashkiak i Tiranës, duke marrë përgjegjësi të plotë për angazhimet e mia, jo thjesht për atë që është perceptuar gabueshëm deri më sot si domeni i veprimtarisë bashkiake, por për gjithçka. Duke nisur nga punësimi, me çmimet jonormale në këtë qytet, me cilësinë e jetës të munguar dhe shumë e shumë fushave të tjera. Ndër këto fusha, unë vij së pari me një vizion të ndërtuar përmes kësaj konvergjence, konvergjencës së mendimit qytetar që kam prekur dhe vazhdoj ta prek çdo ditë në lagjet e Tiranës. Konvergjencës së mendimit elitar, intelektual, profesional, një pjesë e të cilit reflektohet sot këtu në formën e elitës jo të pozicionuar politikisht, por kështu ka me dhjetëra e qindra të tjerë, të cilët kanë kontribuuar në këtë platformë drejtpërsëdrejti për shkak të interesit qytetar. Dhe, natyrisht, në një platformë shumë të qartë politike, në qendër të së cilës është transparenca dhe demokracia, bashkëvendimmarrja, matshmëria dhe kontrolli objektiv i planveprimet që do të shoqërojnë këto platforma. Këto janë risitë e propozimit tim, në qendër të së cilës qëndron një lloj i ri Bashkie, një lloj i ri kryebashkiaku që dëgjon, shikon, e percepton problemin dhe merret drejtpërsëdrejti me zgjidhjen e tij, dhe jo ta bëjë atë pjesë ose, akoma më keq, ta bëjë kurban të sherreve apo luftës politike, siç ka ndodhur rëndom, qëkur kandidati tjetër u zgjodh kryetar i opozitës. Besoj që ndryshimi është i qartë.
Zoti Basha, ju folët pak më parë për vlerësim apo rivlerësim të pronës private për të fituar hapësira publike. Po ju sjell një shembull që e kemi evidentuar javët e fundit në kronikat tona. Një nga projektet më të mëdha që keni është projekti për Unazën e Madhe. Në fakt, qeveria ku ju keni qenë pjesë para 40 ditësh, ka nisur punimet në këtë unazë, e para pa shpronësuar pronarët dhe, e dyta, me një vlerë minimale të tokës. A duket se ka diçka kundërthënëse kjo?
Pikësëpari, punimet e Unazës së Madhe nuk do të ndalen nga asnjë interes parcial, qoftë ky interes i motivuar politikisht, qoftë ky interes i katandisur në axhenda, siç ishte axhenda-kuazi ambientaliste e Kopshtit Botanik. Kopshti Botanik nuk u prek dhe nuk do të preket baza gjenetike që ai kopsht ka, është diçka e vyer, po ne do të procedojmë. Unë jam i vendosur që të mos lejoj më ndërhyrjen politike në ndërtimin e Unazës së Madhe. Në ndërtimin e Unazës së madhe, natyrisht, Bashkia do të mbështetet fuqimisht te kapacitetet huamarrëse të qeverisjes qendrore. Do ta bëj këtë edhe për faktin se vepra është shumë e shtrenjtë, është vepra më e madhe infrastrukturore e qytetit të Tiranës dhe një nga veprat më të madha në të gjithë vendin. Por do ta bëj këtë, se kjo vepër nuk i shërben vetëm qytetit të Tiranës, pra në një farë mase është detyrim i qeverisjes qendrore të kontribuojë dhe shpreh kënaqësinë që për këtë vepër deri tani shoh se do të kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm. Çështja e shpronësimeve. Shpronësimet e veprave publike në Tiranë, edhe po të jetë zgjerimi i një rruge, rrugice apo akoma më shumë të një vepre të madhe infrastrukturore, nuk do të bëhet pa miratuar vlerën e plotë të tregut. Problemin e Saukut e njoh, banorët e tij i kam takuar. Është paradoksale për mua që nga njëra anë e rrugës çmimi është në përputhje me vlerën e tregut dhe nga ana tjetër 4 herë më poshtë. Faleminderit që me dhe rastin që t’i siguroj dhe një herë para jush se kush do të jetë pozita ime, por në veçanti si kryebashkiak i ardhshëm i Tiranës asnjë centimetër katror i tokës së tyre nuk do të shpronësohet pa vlerën reale të tregut.
Medias nuk i ka shpëtuar fakti që në fushatën tuaj në Tiranë, përveç ditës së parë kur ju prezantoi kryeministri Berisha, por edhe kryetari i partisë së dytë qeverisëse, Ilir Meta, nuk kanë qenë në krahun tuaj. Kjo është një shmangie me dashje e tyre, apo është mënyra e të bërit tuaj fushatë?
Fushata ime ka sjell një risi në qytet. Besoj dhe në kulturën politike, sepse fushata ime nuk ka pasur qëllim deklamimin tribunor të platformave apo të vizioneve, por ka pasur si qëllim të thithë në një kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo nivel nga pragu i derës ku jeton te lagjet ku i takoj në “Talk woll meating”, te grupet e interesit, qofshin këto gra kryefamiljare apo bankiere të Tiranës. Në këtë kuadër mendoj se kontakti që ata kanë dëshiruar, diskutimi që ata kanë dashur të kemi, mesazhet që ata kanë dashur të përcjellin, kanë qenë me kandidatin për kryebashkiak dhe jo me persona të tjerë, të cilët në këtë rast janë kryetarë të partive të koalicionit, që në këtë rast mbështesin kandidatin.
Në premtimet tuaja keni thënë se nuk do të lejoni që të ndërtohen pallate 35-katëshe te diga e Liqenit. Ky do të mbetet një premtim elektoral, apo do të jetë e vërtetë, madje edhe Kryeministri është shprehur që kjo do të varet nga ju?
Sapo u shpreha për këtë çështje, ku folëm për këtë zonë. Në rastin konkret, sikundër në çdo rast tjetër, jam i vendosur që asnjë centimetër pronë publike dhe hapësirë e gjelbër të mos preket. Ndërkohë, plani i ri urbanistik do të japë mundësi të shumëfishta që këtë energji zhvilluese ta orientojmë në zhvillimin e zonave të degraduara, siç është segmenti Stacioni i Trenit – Bregu i Lumit, Bregu i Lumit në tërësi, nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës. Në vend që të prishim të vetmin park që na ka mbetur me energjinë pozitive të sektorit privat, të ndërtojmë një park tjetër dhe aty, natyrisht, do të ketë vend edhe për zhvillime te sektorit privat.
Zoti Basha, kemi parë politikën tonë që gjithmonë historia ka filluar me individin. Nëse ju zgjidheni kryetar i Bashkisë, historia e Bashkisë së Tiranës do të fillojë më 9 maj. Çfarë do të ofroni nga projektet që janë bërë dhe që janë në proces dhe çfarë do të rishikoni nga ato?
Vendosmëria ime është shumë e madhe ta depersonalizoj këtë përqasje në vendimmarrje në Bashkinë e Tiranës. Pikërisht në këtë kuadër është i domosdoshëm bashkëpunimi më i sinqertë, në kuptimin sa më i madh besimi me qytetarin e vërtetë, jo fals, i përhershëm, jo periodik, në kohë fushatash apo vendimmarrje të veçanta. Unë besoj se personalizimi i vendimmarrjes është problemi më i madh që shoqëria ka sot, sikundër kam parë forcën e konsensusit qytetar të përballojë katastrofën natyrore, të ngrejë qytete nga rëra dhe të kthejë qytete të degraduara në qendra civilizimi europian dhe botëror. Duke pasur këtë provojë dhe duke pasur bindjen time më të thellë në vlerat më të mira të AND-së shqiptare në kuptimin e plotë të fjalës jo biologjik, jam i bindur se me një konsensus të madh qytetarësh do ta provoj veten superior nga çdo formulë e madhe që kemi provuar deri tani.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura