Basha: Do pres përfundimin e procesit

May 25, 2011 | 10:35

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi dje se do të presë deri në fund procesin për shpalljen e rezultatit.Një ditë pas shpalljes së rezultatit nga KQZ, Basha u shpreh se duhet të shqyrtohen të gjitha pretendimet e palëve, të cilat duhet t’u besojnë institucioneve. “Unë do të pres deri në përfundimin e plotë të procesit. Procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim të plotë tek institucionet. Dhe, pasi të jenë shqyrtuar të gjitha kërkesat, nga të gjitha palët, do të kryhet certifikimi përfundimtar i rezultatit. Më pas, ne të gjithë duhet të bashkohemi për ta çuar Tiranën përpara, shumë përpara, ashtu siç ajo e meriton. Siç gjithkush e di, guri themeltar i demokracisë qëndron në faktin se nuk vendos as unë, as z. Rama se kush fitoi apo humbi; sepse e përsëris, ju jeni të parët dhe e gjithë kjo varet nga ju”, tha Basha, i cili në fjalën e tij nuk e fshehu se është pjesë e entuziazmit pas rezultatit të KQZ-së. “Tashmë duket qartë se ka shumë entuziazëm dhe unë, pse t’jua fsheh, nuk jam jashtë kësaj atmosfere. Rezultati i shpallur mbrëmë tregoi se 81 bashkëqytetarë më shumë votuan për mua”, tha ai. Kandidati demokrat foli më tej për garën duke e cilësuar atë si të ngushtë. Ai i ftoi të gjitha palët për një refleksion dhe qetësi në të mirë të kryeqytetit. “Kjo ishte një garë shumë e ngushtë dhe një garë e ngushtë të përball pashmangshmërisht me sfida, por sfidat në vetvete sjellin mundësi të reja. Interesi madhor i këtyre zgjedhjeve është më i madh se çështja kush fiton apo humbet. Në këtë moment emocionesh të forta të të dyja palëve, më lejoni t’u ftoj për një refleksion të qetë, për sa më shumë qetësi dhe respekt ndaj institucioneve, sepse kjo është më e mira që mund të bëjmë të gjithë bashkë për qytetin tonë, për Tiranën. Sot jemi plot besim për triumfin e procesit demokratik, triumfin e numërimit të çdo vote dhe dëgjimit të zërit të çdo qytetari”, tha Basha. Në fjalën e tij, Basha e vlerësoi këtë fushatë duke thënë se “ndryshuam mënyrën se si funksionon politika dhe perceptimin se çfarë do të thotë të jesh zyrtar i zgjedhur”. “Qytetarët janë të entuziazmuar për të ardhmen e qytetit tonë, për një politikë të një lloji të ri dhe një qeverisje vendore të një lloji tjetër. Qytetarët gjithashtu e kanë vlerësuar respektin institucional që ne kemi dëshmuar dhe mënyrën se si reaguam gjatë gjithë procesit paszgjedhor. Unë besoj se ne ndryshuam mënyrën se si funksionon politika, ndryshuam perceptimin e asaj se çfarë do të thotë të jesh zyrtar i zgjedhur. E gjithë kjo u arrit duke ju ndjerë, duke ju vendosur – siç e meritoni – ju të parët. Për ne, mbi të gjitha, qëndronte detyrimi i të numëruarit të çdo vote, edhe të votave kundër nesh, në mënyrë që çdo zë të dëgjohej”, deklaroi kandidati Lulzim Basha.

Gara

“Kjo ishte një garë e ngushtë, por sidoqoftë, këto janë zgjedhje me të cilat Tirana mund të ndihet vërtet krenare. I gjithë procesi i votimit dhe numërimit në këto zgjedhje ishte i drejtë, transparent dhe i saktë. Është më e lehtë për demokracinë të funksionojë kur kemi rezultate zgjedhore të thella, por demokracia vihet në provë kur gara është e ngushtë. Ne nënshtruam emocionet tona dhe pritëm qetësisht që çdo votë të numërohej dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohej”, tha Basha.

Zgjedhjet

“Mbi 250 mijë qytetarë votuan në këto zgjedhje, më shumë se ndonjëherë më parë në historinë e Tiranës. Është një e drejtë themelore, e mishëruar në Kushtetutën tonë, në Kushtetutën europiane të të Drejtave të Njeriut, është një e drejtë universale e gjithë njerëzve të lirë, që çdo votë të numërohet. Dhe tani, çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari ka pasur
shansin të dëgjohet. Kjo është një fitore e vërtetë, fitore e demokracisë”, vlerësoi Basha.

Berisha: Vota e 8 majit, votë ndërtimi e zhvillimi

Kryeministri Sali Berisha përuroi dje urën e re mbi lumin Buna, në Shkodër, nga ku deklaroi se zgjedhjet e 8 majit ishin besim për maxhorancën. “Vota e 8 majit do të shndërrohet për mbarë shqiptarët në një energji të re, të madhe, të pandalshme të zhvillimit. Në këtë periudhë të shkurtër 18-mujore ne përfundojmë autostradën Tiranë-Elbasan, në këtë periudhë do të nisim autostradën Lezhë-Shkodër me katër korsi, nisin punimet e tunelit të Rrugës së Arbrit, Boshtit të Jugut. Sot, më shumë se kurrë, ne besojmë tek ju, sepse ju udhëhoqët fushatën më të suksesshme që vendi ka njohur nga viti ’92 gjer sot. Por, në rast se vota e vitit ’92 ishte votë përmbysjeje, vota e 2011-s është votë ndërtimi, votë zhvillimi, votë e së ardhmes”, tha Berisha. Ura e re, me gjatësi 275.5 metra dhe gjerësi 13.5 metra, është një investim mbi 7 milionë dollarë.

“Rama kërkon të dëmtojë institucionet”

Kryekëshilltarja e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, reagoi dje pas deklaratave të kreut të opozitës. “Tani, pasi është përpjekur që të ndalojë numërimin e çdo vote, Edi Rama po përpiqet të dëmtojë institucionet tona demokratike, në vend që të pranojë publikisht se për të këto vota nuk kanë vlerë. Nuk është kanibalizëm të përfshish në proces çdo votë, por është kanibalizëm të thuash se votat e disa qytetarëve nuk kanë vlerë”, tha Tabaku. Sipas saj, kreu i opozitës “shpik histori absurde për administrimin e kutive, kur siguria e tyre është e vërtetuar”.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura