Basha: Do normalizoj çmimet

May 6, 2011 | 10:41

Në ditën e parafundit të fushatës elektorale, kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, u ka premtuar femrave shqiptare se dera e tij do të jetë e hapur për të zgjidhur të gjitha problemet e tyre.Në një takim kushtuar grave, nënave, gjimnazistëve dhe të rinjve të Tiranës, Basha u zotua se nga 9 maji ai do të jetë në shërbim në kohë të plotë për të gjithë qytetarët e Tiranës. “Duke filluar nga data 9 maj do të jem në dispozicion dhe shërbim të plotë të qytetit të Tiranës dhe qytetarëve të saj, të nënave, grave, motrave të Tiranës. Dera ime do të jetë e hapur për këdo që ka problem, sepse Bashkia dhe kryebashkiaku duhet t’i dëgjojë dhe t’i zgjidhë problemet. Veshët dhe sytë e mi nuk do të mbyllen para asnjë problemi, sado i rëndë qoftë, sado larg të jetë, për sa kohë që është problem i qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës”, deklaroi Basha dje në takimin e zhvilluar me gra të grupmoshave të ndryshme në Pallatin e Kongreseve. Në platformën e tij ai parashikon stimuj të veçantë për punësimin e tyre, krijimin e lehtësirave për gratë në marrëdhënie pune dhe mbështetje për kryefamiljaret. “Në programin tim të strehimit, i cili parashikon një fond special për çiftet e reja në Tiranë dhe 1000 apartamente sociale brenda katër viteve të ardhshme, do të ketë vend të bollshëm për të trajtuar problemin e tyre. Ne do të përparësojmë punësimin e gruas dhe krijimin e kushteve të barabarta të pagesës për gratë në këtë qytet. Për të gjitha ato që gjatë muajve të verës vazhdojnë punën ndërkohë që kopshtet, çerdhet dhe shkollat mbyllen, Bashkia e Tiranës, duke filluar nga vera e ardhshme, do të aplikojë për këtë qëllim, nën drejtimin dhe supervizimin tim, shkollat verore, kopshtet verore për fëmijët e grave të punësuara që nuk mund të kujdesen për to gjatë kohës që janë në punë. Ne do t’i përvishemi punës, sepse 9 maji është dita europiane, por është, po kështu, dita kur ne fillojmë rrugëtimin për Tiranën europiane  moderne”, u shpreh Basha, i cili ka diskutuar me gratë edhe rritjen e vlerave të produkteve. Duke premtuar normalizimin e çmimeve, kandidati i PD-së tregoi edhe planin konkret për uljen e taksave: “Unë nuk kam lidhje me çmimet, por taksat që janë rritur nga viti në vit. A kanë lidhje taksat me çmimet? A dalin këto para, në fund të fundit, nga xhepat tanë? Prandaj unë kam një plan konkret për të normalizuar çmimet në këtë qytet; që fillon me uljen e shumëfishtë të taksave për qytetarët dhe bizneset e Tiranës dhe themelimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Agjenci, e cila do të hulumtojë, godasë, raportojë këdo që spekulon me çmimet në Tiranë. Prandaj ju them sot do t’i ul taksat dhe do të bëj normalizimin e çmimeve në këtë qytet. Ky do të jetë prioriteti im numër një”. Më pas Basha ishte i ftuar në një festë të një grupi maturantësh në Tiranë, të cilëve u garantoi se në politikat e tij do të mbështesë arsimimin e të rinjve, duke ofruar edhe mbështetje financiare. Basha parashikoi si fillim 500 bursa për të rinjtë në pamundësi ekonomike dhe 100 bursa për më të mirët. “Këta maturantë do të përfitojnë, në nisje të studimeve të larta, kartën studentore dhe në një të ardhme të afërt, ambiente moderne për studim në kampuset universitare”, premtoi kandidati demokrat. Për gjimnazistët e Tiranës ai parashikoi përmirësim të kushteve të tyre, ndërtim të 4 shkollave të mesme, krijim të ambienteve sportive dhe akses të gjerë në internet.

Basha në Shtëpinë e Azem Hajdarit
Në ditën e veçantë të përkujtimit të heronjve, Basha zhvilloi vizita në familjet e heronjve të popullit Çelo Sinani e Hamide Dalipaj, si dhe në familjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Sipas tij, shumë nga të mirat dhe liritë që të gjithë gëzojmë sot, vijnë si kontribut i Azemit dhe gjeneratës së tij në lëvizjen për demokraci. Basha u ndal edhe në familjen e Dëshmorit të Atdheut, efektivit të Policisë, Sajmir Duçkallari, ndërsa shprehu mirënjohje e respekt edhe për tre efektivët e tjerë, Fatos Xhani, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska, që mbetën të vrarë gjatë operacionit për kapjen e Dritan Dajtit.

 

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura