Beteja për Bashkinë e Tiranës 2011 tregon se kësaj radhe kemi realisht garë. Procesi i numërimit të votave u ndërpre dje në orët e vona të mbrëmjes në KZAZ-në e njësive bashkiake 6 dhe 10.Tek njësia 6, mungesa e një numëruesi rriti tensionet deri në konfrontim fizik mes mbështetësve të PS e PD-në duke çuar në pezullimin dhe ndërprerjen e numërimit për disa orë. Gjithashtu dhe në KZAZ-në e njësisë nr.10 u bllokua numërimi, për shkak të tërheqjes nga ana e PS të dy numëruesve që pasi numëruan votat e një kutie, u larguan duke lënë procesverbalin të pa firmosur. Kryetarja e KZAZ-së Joana Bushi mori masën e shkarkimit të dy numëruesve të djathtë se nuk zbatuan urdhrin e saj. Këto incidente erdhën menjëherë pas ngushtimit të rezultatit mes dy kandidatëve. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme për këtë bashki, e veçanërisht që prej vitit 2000 kur kandidon Rama, gara për Tiranën asnjëherë nuk ka pasur ankth, shqetësim, gëzim e zhgënjim. Në Tiranë nuk kemi më një Edi Rama që krijonte diferencë prej 2-3 mijë votash që në kutitë e para. Kur janë numëruar 2/3 e kutive të votimit, 300 nga 485 deri në orën 02:30 të mëngjesit, kandidati socialist kryeson me vetëm 200 vota përballë Bashës. Kandidati demokrat gjatë gjithë paradites së djeshme ka qenë vazhdimisht në avantazh, gjë që solli tension dhe shqetësim në radhët e socialistëve, të cilët ishin mësuar ta shihnin Ramën gjithë në avantazh të padiskutuar më parë. Ky avantazh i Bashës vuri në jetë strategjitë e partive të ndërpresin procesin e numërimit herë në njërën KZAZ, e herë në tjetrën. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pa asnjë shkak, numëruesit e PS në KZAZ-në 54 të Njësisë Bashkiake Nr. 10 bllokuan punën duke ngrirë procesin e numërimit të votave në këtë njësi bashkiake, ndërkohë që procesi i numërimit ishte ndërprerë më parë në KZAZ Nr. 49, në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Procesi i numërimit të votave dje gjatë paradites dhe mesditës eci me ritëm shumë të ulët, ndërkohë që u vunë re tendencat e votimit. Lulzim Basha ka qenë në avantazh në njësitë bashkiake 2, 4, 8, 9, 10 dhe 11. Ndërsa kryetari aktual i Bashkisë, Edi Rama, ishte disa qindra vota në avantazh në njësitë 1, 3, 5, 6 dhe 7. Njësia Bashkiake që i ka dhënë avantazh të mirë Ramës është ajo numër 5, në qendër të Tiranës, ku dje u numëruan 25 nga 65 qendrat e votimit në këtë minibashki. Njësia Bashkiake Nr. 2 ka gjithashtu ende shumë kuti për t’u numëruar, duke dhënë një mundësi të mirë rikuperimi të kandidatëve në vota. Gjatë gjithë ditës së djeshme Basha ka mbajtur avantazhin në këtë njësi, ku kandidon Elez Gjozaj i LSI-së. Gjithashtu, mundësi rikuperimi në vota kandidatët kanë dhe në Njësinë Nr. 9, ku kandidati socialist ka marrë maksimumin e votave të tij në zonën tradicionale të Tiranës, brenda Unazës së qytetit, ndërsa qendrat e votimit poshtë Unazës duket se po i japin avantazh kandidatit demokrat Lulzim Basha. Por, duket se për kandidatin demokrat, baza e votave mbeten njësitë 2, 8, 10 dhe 11, ku zakonisht i kanë dhënë fitore së djathtës. Nga ana e saj, KQZ ka bërë të gjitha përpjekjet që procesi i numërimit të votave të ecë me shpejtësinë e duhur dhe të zhbllokojë të gjitha ngërçet. KQZ vendosi që një kuti e bllokuar nga KZAZ Nr. 52 të numërohet te kjo njësi, ndërsa shkarkoi nga puna një numërues, i cili vononte procesin e përpunimit të materialeve dhe nuk firmoste dokumentacionin.
Rama: Kujdes votat! Tirana, fitore e sigurt
Pas prezantimit të kryetarit të ri të Bashkisë së Sarandës, kryetari i PS-së, Edi Rama, i ftoi të gjithë qytetarët dhe aktorët pjesëmarrës në procesin e numërimit në Tiranë, të jenë të vëmendshëm. Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të mos cenojë, sipas tij, procesin e numërimit. “Është e rëndësishme që të gjithë këtu në Tiranë të fokusohen te procesi numërimit, të ndjekin me vëmendje këtë proces dhe Saliu të bëjë kujdesin e duhur e të mos e trashë më shumë zullumin që ka hedhur një hije të rëndë mbi procesin, duke cenuar standardet e këtyre zgjedhjeve, por pa mundur të cenojë rezultatin fitues në Bashkinë e Tiranës, qoftë në garën për kryetar, qoftë në garën e Këshillit Bashkiak”, tha Rama. Por, një apel, lideri socialist i dërgoi edhe Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të saj, duke u bërë thirrje të qëndrojnë në krye të detyrës e të respektojnë, sipas tij, uniformën blu të Policisë së Shtetit dhe jo flamurin blu të pushtetit. Gjatë një daljeje më herët në selinë rozë, Rama, duke uruar kryebashkiaken socialiste të Patosit, Rajmonda Balilaj, u shpreh i bindur për fitoren e tij në Tiranë, ndërsa bëri me dije të gjitha fitoret në bashki e komuna. Rama u shpreh se fitoren e PS në Tiranë “nuk e luan as topi”.
Basha: Fitorja në Tiranë po merr trajtë
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, në një dalje publike të bërë në mesditë, deklaroi për mediat se fitorja e tij në kryeqytet po merr trajtë. “Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë të jetë i tillë, një proces me të cilin Tirana dhe qytetarët e saj të krenohen para syve të mbarë botës. Ndërsa duket se fitorja e shumëpritur po merr trajtë anë e mbanë qytetit tonë, dua të përsëris vendosmërinë time për të respektuar procesin e numërimit deri në votën e fundit të çdo qytetari të Tiranës dhe rezultatin e dalë prej saj”, tha Basha. Kandidati i djathtë kërkoi transparencë në numërim të votave dhe falënderoi të gjithë komisionerët për punën e tyre. “Dua ta nis këtë deklaratë me një falënderim. Dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit që vazhduan punën gjatë gjithë natës të djeshme dhe gjatë mëngjesit të sotëm, për numërimin e drejtë e transparent të çdo vote, për të siguruar një proces numërimi të saktë dhe pa vonesa. Kanë mbetur akoma shumë vota për t’u numëruar. Unë jam i vendosur që zëri i këtyre qytetarëve të dëgjohet dhe që këto vota të numërohen me qetësi, saktësi dhe transparencë”, tha Basha.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











