Basha: Çdo orë konfirmohet fitorja në Tiranë

May 10, 2011 | 10:00

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, tha dje pasdite se po konfirmohet fitorja e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në kryeqytet. Gjatë një konference për shtyp në ambientet e selisë blu, Basha vlerësoi numëruesit e të gjitha partive dhe shprehu zhgënjimin për bllokimin e procesit në zonat që tradicionalisht favorizojnë PD-në. “Dua t’i falënderoj të gjithë komisionerët e të gjitha partive politike për punën e palodhur dhe plot përkushtim në këtë fazë shumë të rëndësishme të procesit zgjedhor, fazën e numërimit të çdo vote të qytetarëve të Tiranës. Në veçanti, dua të falënderoj komisionerët e Partisë Demokratike, numëruesit e Partisë Demokratike, vëzhguesit e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Qytetarin, për durimin e treguar në pjesën e parë të ditës së sotme, gjatë numërimit të qendrave të votimit që tradicionalisht favorizojnë Partinë Socialiste. Por, ndërsa numërimi vazhdon dhe rezultati është ngushtuar, është zhgënjyes bllokimi preferencial i numërimit nga pala tjetër në qendrat e votimit që tradicionalisht favorizojnë Partinë Demokratike. Kanë mbetur për t’u numëruar plot 180 mijë vota, këto vota duhet të numërohen me qetësi dhe transparencë. Zëri i këtyre qytetarëve duhet dhe do të dëgjohet”, u shpreh Basha. Kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Tiranës u shpreh i hapur për të respektuar rezultatin zgjedhor. “Dua të përsëris vendosmërinë time për të respektuar procesin e numërimit të çdo vote të qytetarëve të Tiranës dhe rezultatin e dalë prej saj. Bazuar në të dhënat që po konsolidohen çdo orë, pas numërimit të çdo vote, kam besim në konfirmimin e fitores së shumëpritur në Tiranë”, u shpreh Basha.

© Panorama.al

Te lidhura