Basha: Brenda prillit të 2013, furnizim me ujë në gjithë Tiranën

Aug 8, 2012 | 12:56

Brenda muajit prill të vitit që vjen e gjithë Tirana do të ketë furnizim me ujë të pijshëm. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi dje se premtimi i tij po vihet në jetë, falë investimeve që po kryhen në disa minibashki. Këto deklarata ai i bëri gjatë inspektimit të punimeve në Njësinë Bashkiake numër 4. Në fund të muajit tetor, 7500 banorë të kësaj minibashkie do të kenë furnizim normal me ujë të pijshëm. Janë 18 km tubacione të Ujësjellësit që do të çojnë ujë të pijshëm në 1500 familje. Investimi në Ujësjellësin e Njësisë Bashkiake Numër 4, i cili po kryhet paralelisht me Ujësjellësin e Njësisë Bashkiake Numër 8, vjen pas furnizimit me ujë të pijshëm të 60 mijë banorëve të zonës së Kodrës së Priftit dhe Kodër-Kamzës. “Në përfundim të këtij projekti dhe të tri projekteve të tjera, dy prej të cilëve janë në përfundim e sipër dhe njëri sapo ka nisur, ne brenda vitit garantojmë ujin në 95 për qind të territorit të Bashkisë së Tiranës dhe jemi në rrugë të mbarë që 100 për qind e Bashkisë të jetë e mbuluar me furnizim me ujë brenda 3-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, siç edhe kam premtuar”, tha Basha. Sipas tij, pas marrjes së aksioneve të saj të Ujësjellës-Kanalizimeve, një premtimi në fushatë elektorale po avancohet çdo ditë me përmbushjen e përgjegjësisë që administrata e re e Bashkisë së Tiranës mori përsipër, furnizimin me ujë të të gjithë banorëve të Tiranës. Në këtë projekt po përfshihen edhe 20 studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

© Panorama.al

Te lidhura