
“Rama nuk është armiku ynë, ai thjesht nuk duhet të jetë më kryetari i Bashkisë tonë”
Në mitingun përmbyllës të fushatës 30-ditore elektorale, kandidati i koalicionit të djathtë, Lulzim Basha, i është drejtuar edhe një herë qytetarëve, përpara se ata të dalin në votime të dielën. “Unë e fillova këtë fushatë me një pasion të veçantë. Tirana ime, Tirana e jonë, qëndronte përpara meje e zymtë dhe plot halle. Unë prej kohësh kam menduar se ne i kemi një borxh të madh këtij qyteti të ëmbël, të dashur dhe mikpritës. Të gjithë i kemi një detyrim të madh. Për të ndaluar thinjën e saj të parakohshme, për t’i rikthyer gëzimin që padrejtësisht ka humbur, për të zgjuar shpresën e saj, për të justifikuar me punë, shumë punë dhe djersë të drejtën e saj për të shpresuar”, u shpreh Basha, në fillim të fjalës para qytetarëve në sheshin “Nënë Tereza”. “Këto javë, pranë qytetarëve të Tiranës, pranë halleve të tyre, pranë bukës së shtrenjtë, pranë të rinjve të papunë, pranë pleqve të braktisur, pranë nënave me rrathë të zinj poshtë syve, përjetova edhe vetë një rilindje dhe rizgjim të ndjenjave të mia më të forta dhe më të ndjeshme. Dhe ju rrëfej se ndonjëherë, fshehurazi nga kamerat apo sytë e qytetarëve, kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur dhe të pabindur. Por Tirana nuk ka nevojë për lot. Ashtu si dhe nuk ka nevojë për britma dhe ulërima. As për politikë të madhe dhe as për grindje të mëdha, në emër të ca ambicieve personale, boshe dhe egoiste”. Sipas Bashës, të dielën qytetarët do të zgjedhin mes dy alternativave, asaj ku mund të zgjedhin një kryetar bashkie që i dëgjon dhe asaj ku të zgjedhin një kryebashkiak “që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre”. Kandidati demokrat tha se klithja e sloganeve politike nuk hap vende të reja pune dhe as nuk ul çmimet e produkteve në treg. Ai përsëriti edhe një herë fjalët që tha në fillim të fushatës se Rama nuk është armiku i demokratëve. “Kandidati tjetër nuk është armiku ynë. Ai thjesht nuk duhet të jetë më kryetari i Bashkisë tonë dhe kjo është zgjedhja që ju keni përpara të dielën. Një zgjedhje mes një kryebashkiaku që ka prioritet luftën dhe betejat politike dhe një kryebashkiaku që do të luftojë krah jush në betejat e përditshme, me të cilat ju ndesheni sot të vetmuar në Tiranë. Një zgjedhje mes një kryebashkiaku që çdo natë shkon të flejë duke ëndërruar të bëhet kryeministër dhe një kryebashkiak që do çdo natë të shkojë të flejë duke menduar se si ta bëjë Tiranën një qytet më të mirë dhe më të begatë për fëmijët tanë”. Sipas Bashës, qytetarët do të zgjedhin mes një kryebashkiaku që ankohet për ato që nuk mund të bëjë dhe një kryebashkiaku që do të bëjë gjithçka të mundur për ta përmirësuar qytetin tonë. “Një zgjedhje mes një kryebashkiaku që beson se ka vetëm një rrugë dhe se ai na qenka e vetmja rrugë dhe të një kryebashkiaku që beson se së bashku ne mund të ndërtojmë dhe të përshkojmë rrugë më të mira. Mes një kryebashkiaku që ua hedh fajin të tjerëve për problemet tona dhe një kryebashkiaku që merr përgjegjësitë për ta bërë qytetin tonë më të mirë. Një zgjedhje mes një kryebashkiaku që mendon se ju e keni marrë atë që meritoni dhe një kryebashkiaku që mendon sinqerisht se ju meritoni më shumë. Shumë më shumë”.
Premtimet
Në fjalën e tij Basha përmendi edhe njëherë premtimet më kryesore, të cilat i ka shtjelluar gjatë takimeve me banorët e kryeqytetit. Fillimisht ai renditi punësimin si pjesë të programit për Tiranën. Basha premtoi uljen e taksave për biznesin dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ai foli gjithashtu për ndërtimin e Unazës së re, e cila do të lehtësojnë ndjeshëm trafikun në Tiranë. “Në lagjet, rrugët dhe rrugicat ku kam ecur, kam prekur ankimet tuaja për çmimet e artikujve të përditshëm që nga buka e deri tek karburanti. Kryetari aktual i Bashkisë ngre duart përpjetë, thotë se nuk ka ç’bën dhe fajëson qeverinë. Por unë mendoj se detyra e një kryetari bashkie as nuk fillon, dhe as nuk mbaron me fajësimin e të tjerëve. Unë mendoj se kryetari i bashkisë duhet të qëndrojë i pari, në krye të punëve dhe në krye të përgjegjësive”, u shpreh Basha. Duke u ndalur te ndërtimet në kryeqytet, kandidati demokrat tha se “Zëri juaj do të dëgjohet edhe kur të zhvillojmë planin e ri urbanistik të Tiranës. Për një kohe tepër të gjatë, ju keni qenë të përjashtuar nga ky proces. Pikërisht për këtë arsye, si kryetar i bashkisë, unë do të miratoj një moratorium derisa të kemi të kemi miratuar së bashku plan e ri të qytetit, sepse ne nuk mund të ndërtojmë një Tiranë të re europiane pa një plan dhe ne e meritojmë të kemi një qytet, ku rregullat janë të qarta, të drejta dhe të barabarta për cilindo”. Në fund të fjalës së tij, Basha i kërkoi edhe një herë qytetarëve që në 8 maj të votojnë planin e tij për kryeqytetin. Pak orë para mbylljes zyrtarisht të fushatës elektorale, kandidati demokrat, i ftuar në “Tv Klan” në një takim me qytetarët tha se akti i parë si kryebashkiak do të jetë ngritja e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. “Dita e parë do të jetë një ditë e veçantë, do të jetë një ditë pune, jo një ditë feste. Do të jetë një ditë që do të reflektojë prioritetet e shpallura dhe të pranuara nga qytetarët e Tiranës, që në fakt burojnë nga shqetësimet e qytetarëve. Akti im i parë si kryebashkiak do të jetë themelimi i një agjencie të mbrojtjes së konsumatorit”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











